Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Isak Shabani, ka deklaruar se nëpërmjet projektligjit për Administratën po synohet të politizohet dhe të kapet administrata shtetërore, duke shtuar se do ta kontestojnë “me të gjitha mundësitë ligjore”.
Projektligjin për zyrtarët publikë e ka kritikuar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, duke thënë se “është në kundërshtim me parim e shërbimit civil”.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm se çka po dërgojmë për miratim. Ne si Komision duhet të jemi të kujdesshëm. Jam i bindur që në formën që është duke shkuar ligji besoj që ky ligj do të përfundojë prapë në Gjykatë Kushtetuese dhe humbësja kryesore është Kosova. Besoj qe duhet t’i japim kohë të gjitha komenteve që janë dhënë nga organizata të ndryshme faktorë të ndryshëm e nga Komisioni Evropian. Demokracia i ka rregullat e veta”, është shprehur tutje deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.
E, deputeti i partisë në pushtet, Besim Muzaqi, ka thënë se ky ligj për zyrtarët publikë mundëson që gjeneratat e reja të jenë pjesë e administratës, ndonëse shtoi se ka të meta.
“Është për t’u çuditur kur të gjitha raportet ndërkombëtare administratën tonë publike e kanë paraqitur në formën më të keqe, skajshmërisht të politizuar, ku mosvlera kryesore kanë qenë punësimet nepotiste, dhe sot kolegu thotë se me këtë ligj do të jetë një ditë e zezë për administratën. Ky ligj mundëson që gjeneratat e reja të jenë pjesë e administratës. Ky ligj me të gjitha të metat që mund t’i ketë, është përpjekje e shkëlqyer për ta depolitizuar administratën”, ka shtuar ai.
Gjykata Kushtetuese i kishte hapur rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, por i kishte rrëzuar disa nene. Për vlerësimin e kushtetutshmërisë së katër neneve në Kushtetuese e kishin dërguar deputetët e LDK-së dhe të PDK-së.