Dragisha Milenkoviq, i cili po akuzohet se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit, u deklarua i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë, duke u betuar në familje që s’e ka prekur me gisht asnjë prej tyre. E avokati i tij, Dejan Vasiq tha se ka kërkuar që Kryeministri Albin Kurti të dëgjohet si dëshmitar, pasi e njeh të akuzuarin dhe e di sjelljen dhe veprimet e tij ndaj të burgosurve të atij burgu.
“Këtu është prezente një pjesë e familjes sime, pjesa tjetër është në Serbi dhe betohem që mos t’i shoh unë këta njerëz, nëse unë e kam prekur dikën me gisht të vogël… Betohem në kokë të familjes që nuk i kam prekur me gisht”, tha Milenkoviq.
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori special Atdhe Dema gjatë elaborimit të aktakuzës tha se gjatë luftës në Kosovë, në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, i akuzuari në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë, kanë keqpërdorur autorizimet e tyre zyrtare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit shqiptarë.
Po ashtu prokurori special Dema, gjatë fjalës hyrëse tha që në shtëpinë e të akuzuarit Milenkoviq, janë gjetur armë, por për këtë akuzë ai tha që i pandehuri ka pranuar fajësinë.
Pas kësaj, Milenkoviq u deklarua i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Milenkoviq, avokati Zhivojin Jokanoviq, tha se akuza që Prokuroria ia vë në barrë të pandehurit është joligjore, pasi që gardianët e burgut sipas tij nuk kanë marrë pjesë në formacionet e luftës.
“Gardianët e burgut s’kanë marrë pjesë në formacionet e luftës, s’kanë bërë asgjë tjetër përveç që kanë ruajtur personat që kanë qenë të dënuar me dënime të plotfuqishme apo jo të plotfuqishme”, tha avokati Jokanoviq.
Ai gjithashtu ka thënë se në rolin e të akuzuarit ka mundur të jetë secili gardian tjetër i burgut. I akuzuari Milenkoviq u pajtua me fjalën e avokatit të tij.
Kurse avokati tjetër i Milenkoviq, Dejan Vasiq ka deklaruar se ka dërguar propozim në Prokurori dhe Gjykatë që në cilësi të dëshmitarit lidhur me këtë rast, të dëgjohet Kryeministri Albin Kurti.
“Kam dërgu propozim përmes parashtresës për dëgjim të dëshmitarit Albin Kurti në Prokurori dhe Gjykatë. Albin Kurti e njeh të pandehurin dhe e di shumë mirë sjelljen dhe veprimet e tij ndaj të burgosurve të atij burgu”, tha avokati Vasiq.
Lidhur me këtë propozim, prokurori special Dema tha që nuk e kanë parë të arsyeshme e të nevojshme të intervistohet ky dëshmitar, por i mbetet gjykatës të vendos lidhur me këtë propozim.
Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.
Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.
Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike, raporton Betimi për Drejtësi.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.