Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 5 prill.
Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Këtu nuk përfshihen informacionet mbi përkatësinë etnike dhe fetare, të cilat nuk janë të detyrueshme.
Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.Këtë herë, kanë qenë shtatë pyetësorë që duhet të plotësohen. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.
Mbledhjen e këtyre të dhënave, Agjencia e Statistikave e ka arsyetuar me rëndësinë për të bërë politika më të mira për vendin, për ta planifikuar buxhetin dhe investimet, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vend dhe për investime të huaja.
Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë.
Pa përfshirë diasporën, Kosova pritet t’i ketë rreth 1.5 milion banorë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
“1.5 milionë banorë pritet t’i ketë Kosova pa përfshirë diasporën”, ka deklaruar Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të ASK’së, Avni Kastrati.