Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se letra e Qeverisë së Kosovës dërguar në Këshillin e Evropës, nuk është konsultuar e dakorduar me të.
“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në deklaratën nga Presidenca.
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten se ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.