Kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugës Junik – Rastavicë, ky projekt konsiderohet si mjaft i rëndësishëm për banorët atje.
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka thënë se ky projekt paraqet arterien kryesore me të cilën Juniku lidhet me regjionin e Pejës dhe regjionin e Gjakovës, por edhe me pjesën tjetër të Dukagjinit.
“Rruga Junik – Rastavicë është ndërtuar në vitin 1976 dhe pas një kohe kaq të gjatë kjo rrugë po shtrohet që nga fillimi në tërësi së bashku me infrastrukturën përcjellëse (zgjerimi i rrugës, trotuaret, ndriçimi dhe shtigjet për biçikleta) dhe në përputhje me standardet moderne rrugore”.
“Ky projekt realizohet në bashkëfinancim nga Komuna e Junikut dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Shehu në Facebook, ku uroi junikasit për projektin që nisi dje.