Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk do të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për tu anëtarësuar në këtë organizatë as në mbledhjen që do të mbahet këtë javë.
Zyra për komunikim me media e KiE-së tha sot se çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk është pjesë e agjendës.
“Jo, nuk mund ta konfirmoj këtë. Nuk është në rendin e ditës”, thuhet në një përgjigje të Këshillit të Evropës për portalin Telegrafi.
Takimi i Komitetit të Ministrave pritet të mbahet të premten më 17 maj.
Paraprakisht, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës.
Por, ndërkohë, shtete si Franca dhe Gjermania kërkuan kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, duke thënë se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e jo me Këshillin e Evropës.