Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosova“Freedom House” për mediat në Kosovë: Fushata të shpeshta të njollosjes nga...

“Freedom House” për mediat në Kosovë: Fushata të shpeshta të njollosjes nga qeveria, kërcënime në rrjete sociale

Organizata ndërkombëtare “Freedom House” në raportin e saj “Vendet në tranzicion 2024” ka folur edhe për mediat në Kosovë, ku thotë se liria e përgjithshme e fjalës dhe shprehjes është “deri diku e kufizuar”.

“Pavarësisht peizazhit të larmishëm të mediave në Kosovë, përfshirë stacionet televizive,  një kanal televiziv publik, radio stacione dhe portale të shumta të mediave online, liria e përgjithshme e fjalës dhe e shprehjes është deri diku e kufizuar dhe ka pasur incidente dhe tendenca shqetësuese në vitin 2023. Shumë media shfaqin hezitim për t’u angazhuar në mbulimin kritik të qeverisë.”

Raporti thotë së gazetarët dhe mediat “hasën në një sërë pengesash të tjera, nga shqetësimet e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës deri te fushatat e shpeshta të njollosjes nga qeveria, sulmet nga bizneset dhe kërcënimet e përsëritura në mediat sociale”.

“Freedom House” shton se AGK ka raportuar 63 sulme fizike dhe kërcënime të gazetarëve, 30 prej të cilave kanë ndodhur gjatë raportimit në Veri.

“Aktivistët kanë qenë të zëshëm në nxitjen për krijimin e një mjedisi më të sigurt për gazetarët që raportojnë në terren, të cilëve aktualisht u mungon mbrojtja adekuate.”

Raporti përmend edhe komentin e Rron Gjinovcit, të cilin Freedom House e cilëson si “mbështetës i fortë i qeverisë së Kosovës, ndaj aktivistes Flutura Kusari pasi kjo e fundit “kundërshtoi vendimin e qeverisë për heqjen e licencës së Klan Kosovës”.

Po ashtu, raporti i Freedom House shkruan për Luljeta Aliun që u votua për anëtare në Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Në maj, ligjvënësit e Vetëvendosjes votuan Luljeta Aliun, një analiste politike e cila mbështeti hapur partinë në pushtet dhe është në linjë me politikat e saj, në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM). AGK protestoi se zgjedhja e një mbështetësi të qeverisë për organin rregullator të transmetimit të Kosovës sinjalizon qëllimin e qartë të partisë për të ushtruar kontroll mbi institucionet e pavarura të medias.”

Raportit të kësaj organizate nuk i ka ikur përpjekja për mbylljen e Klan Kosovës, për të cilin thotë se dërgoi mesazh të frikshëm për mediat në Kosovë.

“Në qershor, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve pezulloi licencën e biznesit të Klan Kosovës, një prej mediave kryesore private në vend. Ky veprim dërgoi një mesazh të frikshëm për mediat në Kosovë, duke bërë që Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (EPCMF) të paralajmërojë mediat e tjera në vend se mund të përballen me të njëjtat kufizime. AGK tha se ishte një lëvizje politike e partisë në pushtet dhe kryeministrit Kurti për të mbyllur subjektet më të mëdha të mediave private dhe opozitare të Kosovës. Në korrik, AGK-ja dhe aktivistët e shoqërisë civile organizuan një protestë kundër vendimit në Prishtinë, duke e quajtur atë një përpjekje të qeverisë për të kontrolluar mediat.”

Raporti shkruan për kritikat e AGK’së ndaj zv/kryeministrit Bislimi dhe ministrit Sveçla për sulmet ndaj mediave.

“Gjithashtu në korrik, AGK ka kritikuar sulmet ndaj mediave nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla. Në veçanti, AGK-ja vuri në dukje një fushatë shpifjeje kundër gazetarit Berat Buzhala për publikimin e një audio-incizimi të një bisede ku ishte përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila. Në regjistrimin e qershorit 2023, Kusari-Lila mund të dëgjohej duke thënë se ajo kishte folur me Radojiçiqin, ish-zyrtarin e Listës Serbe, i cili kërkohej nga qeveria e Kosovës dhe ishte nën sanksionet e SHBA-së për aktivitete të dyshuara të krimit të organizuar dhe do të vazhdonte të drejtonte Sulmi i Banjskës në shtator 2023.”

Organizata ka shkruar edhe për akuzat për diskriminiim ligjor ndaj RTK’së, pasi Ilire Zajmi, Flora Masurica dhe Mihrije Beiqi nuk u zgjodhën në poste drejtuese.

“Në shtator, transmetuesi publik Radio Televizioni i Kosovës (RTK) u përball me akuza për diskriminim gjinor për procesin e rekrutimitj, pasi gazetarëve Ilire Zajmi dhe Flora Masurica Durmishi dhe avokates Mihrije Beiqi – të trija kishin punuar në RTK që nga themelimi i saj në 1999 dhe ishin gra- nuk u zgjodhën për poste drejtuese për të cilat po aplikonin, pavarësisht faktit se ato kishin pikët më të larta në garat e hapura. Ligji që rregullon RTK-në që ishte propozuar në vitin 2018 për të zgjidhur çështjet me financimin e transmetuesit publik, pronësinë, raportimin financiar dhe strukturën e brendshme ende nuk është miratuar.”

“Freedom House” flet edhe për rastin e sulmit të gazetarit Valon Syla, për çka u dënuar tre persona, duke thënë se është “një rast i rrallë në të cilin sistemi gjyqësor gjykoi një rast lidhur me një sulm ndaj një gazetari”.

“Në dhjetor, një gjykatë e Prishtinës shpalli fajtorë tre persona për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla në Prishtinë në prill dhe i dënoi me dy vjet burg secilin, një rast i rrallë në të cilin sistemi gjyqësor gjykoi një rast lidhur me një sulm ndaj një gazetari. Sipas Rrjetit SafeJournalists, ka zakonisht vonesa të mëdha në adresimin e rasteve të tilla në Kosovë. Ligji i vendit në lidhje me burimet e gazetarëve nuk është sjellë në përputhje me standardet evropiane për mbrojtjen e burimeve dhe sinjalizuesve.”

Raporti përmend edhe paditë SLAPP.

“Pavarësisht se shpifja u dekriminalizua në vitin 2012, ka një përdorim të vazhdueshëm të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs) nga politikanë, biznesmenë dhe korporata. AGK raportoi një rast SLAPP gjatë vitit 2023, i cili u trajtua qëllimisht ngadalë dhe përfundoi me dënime të buta.”

“Gjatë vitit 2023, Kosova vazhdoi të presë gazetarë ukrainas dhe AJK zhvilloi një program trajnimi për gazetarët ukrainas dhe afganë në Kosovë.”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments