Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKonjufca: Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore është një platformë e rëndësishme...

Konjufca: Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore është një platformë e rëndësishme për integrimin rajonal

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me moton “Arsimimi për një botë ndryshe” filluan sot punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e PBEJL-së).

Punimet e Asamblesë u zhvilluan me Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë, që zyrtarisht i hapi kryesuesja e këtij komisioni, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi.

Sesioneve punuese u parapriu fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Ministres së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në fjalën e tij referuar motos së sivjetshme të kësaj organizate theksoi se AP PBEJL vazhdon të jetë i vetmi forum rajonal i bashkëpunimit, i cili përfshin të 13-të vendet e Evropës Juglindore, duke e bërë formatin më gjithëpërfshirës në rajon.

Sipas tij AP PBEJL u krijua për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin midis pjesëmarrësve me perspektivën e integrimit të Evropës Juglindore në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Kosova ka qenë pjesëmarrëse aktive në SEECP që nga viti 2014. Si anëtare, Kosova ka kontribuar në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e reformave të lidhura me BE-në, duke marrë pjesë rregullisht në proceset e politikëbërjes. Gjatë këtyre viteve, institucionet tona kanë qenë të përkushtuara në ndërmarrjen e reformave të nevojshme duke u përkujdesur që ato të jenë konform frymës dhe qëllimeve të SEECP-së”, theksoi Konjufca.

Duke u thirrur në rëndësinë e forumit, i pari i Kuvendit theksoi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit për të arritur objektivat e përcaktuara nga ky forum, në fushat e interesit të përbashkët, në mënyrë që të kultivohet bashkëpunim sa më konstruktiv ndërmjet shteteve anëtare, duke siguruar kështu, që rajoni të përfitojë nga mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian dhe strukturat euroatlantike.

“Duke qenë se Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore është një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, ne e konsiderojmë pjesëmarrjen tonë në këtë mekanizëm si qenësore për përparim drejt një të ardhmeje më stabile, më të sigurt dhe më prosperuese. Prandaj është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur objektivat e përcaktuara në SEECP në fushat e interesit të përbashkët, të kultivojmë bashkëpunim sa më konstruktiv mes nesh, duke siguruar kështu që rajoni të përfitojë nga mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian dhe strukturat euroatlantike”, theksoi Kryetari Konjufca.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me moton e kësaj asambleje, “Edukimi për një botë ndryshe” theksoi se vet motoja e këtij forumi është bosht qenësor i diskursit lokal, rajonal dhe global rreth ndryshimeve të nevojshme në sistemin arsimor, në përputhje me kohët moderne dhe me kërkesat e tregut të punës. Në një botë që po avancon me ritme marramendëse, shtoi ajo, politikëbërja duhet të jetë më relevante se kurrë, duke shkuar paralel me zhvillimet në terren dhe në treg.

Për më tepër, Ministrja Nagavci tha se një botë ndryshe kërkon shkathtësi të ndryshme e të ndryshueshme, dhe mbi të gjitha aftësinë për të kombinuar talentin dhe disiplinën në mënyra kreative.

Tutje, forumi vazhdoi punimet me sesionet prezantuese të punës së anëtarëve të Asamblesë.

Lidhur me këtë, Kordinatori i EJL dhe Analisti i Lartë i Politikave Ekonomike, Arslan Umut Ergezer mbi Indeksin Gjithpërfshirës të Rritjes në EJL, u shpreh se ky indeks është realizuar kohëve të fundit dhe është në të njëjtën linjë me strategjinë për vitin 2030. Përgjatë prezantimit të tij, Umut theksoi se vënia e theksit vetëm tek anëtarësimi në BE ka bërë që shtetet të lënë anash faktorë që në mënyrë indirekte ndihmojnë agjendën drejt anëtarësimit në BE.

Asambleja vazhdoi punimet me prezantime dhe diskutime tematike lidhur me edukimin për një botë më ndryshe.

Kryesuesja e takimit, deputetja Vlora Dumoshi, në prezantimin e raportit dhe draft-rezolutës vuri në pah se ky raport përshkruan ndryshimet dhe zhvillimet kryesore në fushën e arsimit me fokus në përshtatjen e sistemeve arsimore për të përgatitur studentët për një botë më ndryshe dhe në zhvillim të shpejtë, duke përfshirë aftësitë përkatëse për punësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar në Evropën Juglindore (EJL).

Punimet e Asamblesë vazhdojnë nesër në orën 9:30, me Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Siguri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments