Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se e ka njoftuar emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për situatën që ka krijuar Serbia në pikat kufitare me bllokimin e qytetarëve të Kosovës.
Bislimi tha se kjo është përgjigjja që mund të japë Serbia si revoltë për suksesin që shënoi dje Kosova në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
“Qindra prej qytetarëve, duke përfshirë gra dhe fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh po mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe. Lidhur me situatën e kam njoftuar edhe zotin Lajçak. Kjo është përgjigjja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE”.
Bislimi thotë se një akt i tillë nga Serbia dëshmon edhe një herë rënien e demokracisë në Serib dhe politikën e vazhdueshme të saj të agresionit.
“Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të stepemi ndaj veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë as në CoE dhe as në BE”.