Universiteti i Prishtinës, ka thënë se rasti i denoncuar për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi, është duke u trajtuar me urgjencë dhe seriozitet.
Në një reagim UP-ja ka njoftuar se rasti dyshohet të ketë ndodhur në tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023, ndërsa është adresuar në Këshillin e Etikës në mars të vitit 2024
“Sqarojmë se rasti i adresuar, pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023). Përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës vetëm në mes të marsit 2024. Kurdo që një rast paraqitet, ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, por nëse është dashur kaq kohë e gjatë për ta paraqitur, Këshilli vlerëson se meriton një hapësirë kohore, që gjithsesi është shumë më e arsyeshme se kjo më sipër, për të punuar i lirë dhe, mbi të gjitha, për t’u siguruar që dëgjon dhe shqyrton deklarimin e secilës palë, të përfshirë në këtë çështje dhe që duhet dëgjuar. Në këtë drejtim, Këshilli vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”, thuhet në reagim, përcjell teve1.info.
Poashtu bëhet e ditur së Këshilli i Etikës për këtë rast ka mbajtur tri seanca, të cilat janë zhvilluar me qëllim dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga vetë pala denoncuese.
“Dëgjimi i dëshmitarëve nga pala denoncuese është hap procedural i domosdoshëm, për të shmangur një rezultat të kontestueshëm dhe për të dhënë garancinë se për rastin është gjykuar e vendosur drejt. Në një rend demokratik dhe sistem që udhëhiqet nga sundimi i ligjit, Këshilli i Etikës kujdeset që të shamanget arbitrariteti, duke ju mundësuar palëve në procedurë të drejtën e tyre për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur pretendimet e tyre në mënyrë të plotë e të barabartë. Kjo pasi parimi themelor për një proces të drejtë, të paanshëm dhe objektiv vlen edhe për rastet e shqyrtuara nga Këshilli i Etikës”, thuhet nga UP-ja.
Në reagim është bërë thirrje nga palët që të përbahen nga çfarë do lloj presioni, duke bërë thirrje që protestat e organizuar për këtë rast të jenë të qeta dhe paqësore.
“ Këshilli i Etikës ka refuzuar dhe do ta refuzojë presionin si modalitet të funksionimit të tij, sepse një gjë e tillë është në interesin më të mirë të funksionimit institucional dhe të rendit juridik, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Sigurisht, Këshilli i Etikës, sikurse vetë Universiteti i Prishtinës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës. UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”, thuhet në reagim.
Aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore të enjten kanë protestuar para rektoratit, ku kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi i dyshuar për këtë rast.
Në këtë protestë pati edhe të arrestuar pas përleshjes së protestueseve me policinë./