Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën dhe të martën, më 8 dhe 9 prill do të qëndrojë në Francë për një vizitë zyrtare dhe në ditën e parë të vizitës do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin do të diskutojë për shumë çështje, ndër to edhe Kosovën.

Pas takimit, Vuçiq do të marrë pjesë në një darkë gala të organizuar nga Macron për nder të tij në Pallatin Elysee, njoftoi shërbimi për shtyp i Presidentit të Serbisë.

Në prag të vizitës së tij në Paris, Vuçiq njoftoi se do të diskutojë me nikoqirët për 14 tema – politikë, ekonomi, ushtri, por edhe bashkëpunim në fushën e inteligjencës artificiale dhe energjisë bërthamore.

Presidenti i Serbisë tha se me Macron do të diskutojë ndër të tjera për rrugën evropiane të Serbisë, marrëdhëniet me Kosovën dhe Këshillin e Evropës, duke pranuar se kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në atë organizatë, nuk pret shumë.

“Ne do të flasim për rrugën evropiane të Serbisë, marrëdhëniet me Prishtinën dhe Këshillin e Evropës. Nuk pres shumë, duart e tij janë të lidhura, njësoj si të miat, por besoj se Franca do të shprehë një synim miqësor për ta ndihmuar Serbinë aq sa mundet”, tha Vuçiq.

Ai tha se pret që të finalizohet kontrata gjatë vizitës për blerjen e 12 “Rafals” të reja franceze, të cilat do ta bëjnë Serbinë një fuqi të madhe ushtarake brenda kufijve të saj.