Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKurti në trevjetorin e qeverisjes shkruan për shqiptarët në Luginë: Do të...

Kurti në trevjetorin e qeverisjes shkruan për shqiptarët në Luginë: Do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për ta

Në trevjetorin e qeverisjes, kryeministri Kurti ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur.

“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë.”

Kurti ka shkruar se Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës.

“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve.”

Ai ka thënë se përmes memorandumit të nënshkruar me Këshillin Kombëtar Shqiptar janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme.

“Ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke patur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen. Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme.”

I pari i ekzekutivit ka përmendur edhe sigurimin e librave në vitin 2022 dhe 2023.

“Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore.”

Kryeministri Kurti ka thënë se kanë mbështetur përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të ndërgjegjësimit ndërkombëtar në lidhje me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimin e adresave. Si rezultat këto çështje për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan.”

Ai ka thënë se juristëve nga Lugina e Preshënes ia kanë mundësuar aplikim për dhënien e provimit të jurisprudencës.

“Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova.”

Kurti ka shkruar se është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente.

“Gjithashtu, është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente. Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e pa dokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që Projektligji për Shtetësinë e Kosovës është në shqyrtim në Kuvend. Ai do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë së Republikës sonë edhe nga shqiptarët e Luginës.”

Kurti ka thënë se do të jenë gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.”

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments