Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaVejvoda: Për dinarin duhet zgjidhje kompromisi, trysnia e bashkësisë ndërkombëtare mbi Kosovën...

Vejvoda: Për dinarin duhet zgjidhje kompromisi, trysnia e bashkësisë ndërkombëtare mbi Kosovën është e justifikueshme

Ivan Vejvoda, nga Instituti për Shkencat Humane në Vjenë, thotë se për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi.

Sipas tij, trysnia e bashkësisë ndërkombëtare mbi Kosovën është e justifikueshme, marrë parasysh se vendimi për ta ndaluar dinarin serb, ishte i autoriteteve të Kosovës.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Vejvoda lë të kuptohet se Prishtina zyrtare duhet të konsultohet dhe t’i marrë parasysh këshillat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Qeveria e Kosovës mund të marrë çfarëdo vendimi që do, por ajo nuk jeton në vakum, jeton në juglindje të Evropës, me partnerë të cilët duan që ajo t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s”, thotë Vejvoda.

Sipas tij, vonesat në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për tokën e Manastirit të Deçanit, nuk i kanë ndihmuar imazhit të Kosovës.

“Trysnia që është bërë mbi Qeverinë e kryeministrit Kurti, po jep tani rezultate, sepse të qenët kundër ka çuar, padyshim, në rrugë qorre”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Vejvoda, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjendet aktualisht në Kosovë, me shpresën për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar pas ndalimit të dinarit serb në vend. A duhet që e gjithë trysnia për këtë çështje të ushtrohet vetëm mbi Kosovën?

Ivan Vejvoda: Ishte vendim i Qeverisë së Kosovës që, në mënyrë të papritur për disa, të dilte me këtë masë. Reagimet nga SHBA-ja dhe BE-ja ishin befasuese, po ashtu. Sipas tyre, vendimi nuk ishte i përgatitur mirë, nuk ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të, dhe nuk ishin ndërmarrë masa për periudhën e tranzicionit. Andaj, mendoj se në këtë rast, barra e përgjegjësisë është më shumë mbi Prishtinën. Negociatorët ndërkombëtarë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që do të siguronte një tranzicion të qetë, e ku, padyshim, duhet të përfshihet edhe pala serbe.

Radio Evropa e Lirë: Por, Kosova thotë se është vendi i pavarur që vendos vetë për veten. Sipas jush, a duhet të marrë Kosova vendime pa u konsultuar me aleatët e saj të ngushtë?

Ivan Vejvoda: Kjo është një pyetje e duhur. Qeveria e Kosovës mund të marrë çfarëdo vendimi që do, por ajo nuk jeton në vakum, jeton në Evropë, në juglindje të Evropës, me partnerë të cilët duan që ajo t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s. Natyrisht, SHBA-ja është një partnere e rëndësishme në këtë rast dhe nivelin e saj të pakënaqësisë e shprehu ndihmësi i sekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se kjo nuk është mënyra se si trajtohet një partner dhe, pastaj, nuk merren parasysh as këshillat. Këtë po e përsërit tani edhe Escobar.

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, cila është zgjidhja?

Ivan Vejvoda: Duhet të ketë kompromis. Secila palë [Kosova dhe Serbia] duhet të zmbrapsen nga qëllimet maksimaliste. Në rastin konkret, përdorimi i dinarit nënkupton paga dhe pensione për njerëzit që jetojnë në veri [të Kosovës]. Duhet të ketë një tranzicion të lehtë – qoftë edhe një muaj, dy apo tre – në mënyrë që njerëzit të jenë të qetë, sepse bëhet fjalë për jetën e tyre të përditshme në njërën anë, por edhe për përpjekjet e Kosovës për ta ‘euronizuar’ edhe veriun në anën tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Escobar tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në një moment kritik. A mendoni se mund të “shpëtohet”?

Ivan Vejvoda: Sigurisht, sepse nuk ka absolutisht asnjë alternativë tjetër për dialogun. I gjithë ky rajon i Evropës Juglindore, i Ballkanit Perëndimor, është plotësisht i rrethuar jo vetëm nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, por edhe vetë NATO-ja është e pranishme në Kosovë. Pastaj, Serbia ka marrëdhënie me NATO-n përmes Planit të Veprimit, në Bosnje kemi një forcë evropiane, e cila de facto është e përbërë edhe nga anëtarët e NATO-s. Andaj, tërheqja nga negociatat është vështirë të mendohet, marrë parasysh edhe faktin se avancimi [i Kosovës dhe Serbisë] drejt anëtarësimit në BE, varet veçanërisht nga normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes tyre.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën të kërkojë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit – një hap ky i rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kurti, për kohë të gjatë, ishte kundër këtij vendimi. Si e shihni veprimin e tij në kohën kur Escobar ndodhet në Kosovë?

Ivan Vejvoda: Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte në pritje tash e tetë vjet. Të gjithë partnerët i kanë kërkuar Kosovës që ta zbatojë dhe është bërë një kusht i madh për Kosovën që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Pra, ka qenë çështje e kohës. Vonesat nuk i kanë ndihmuar imazhit të Kosovës. Kosova është tashmë nën sanksionet e BE-së dhe SHBA-së për mosbërjen e disa gjërave. Dhe, trysnia që është bërë mbi Qeverinë e kryeministrit Kurti, po jep tani rezultate, sepse të qenët kundër ka çuar, padyshim, në rrugë qorre.

Radio Evropa e Lirë: A prisni ndonjë masë të re ndëshkuese kundër Kosovës nëse nuk zmbrapset nga vendimi për dinarin?

Ivan Vejvoda: Është e vështirë ta them. Por, mendoj se deklaratat që janë dhënë kohëve të fundit – veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja – kanë qenë mjaft të qarta, se duhet kërkuar një zgjidhje kompromisi në mënyrë që tensionet për dinarin të qetësohen.

Radio Evropa e Lirë: Gati gjashtë muaj pas sulmit në Banjskë, organizatori Millan Radoiçiq është ende i lirë. Ajo që shkaktoi së voni reagime në publik, ishte një fotografi e ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq, me Radoiçiqin. A mendoni se Serbia do ta ndjekë penalisht Radoiçiqin për atë që dyshohet, pra sulm të armatosur kundër policisë së Kosovës?

Ivan Vejvoda: Po, e pres këtë. Ka presion nga SHBA-ja, BE-ja dhe vetë sundimi i ligjit për të ndjekur dikë që ka bërë një vepër të keqe. Për më tepër, ky person e ka pranuar se ka kryer sulmin paraushtarak në Banjskë. Unë mendoj se do të përfundojë në gjykatë. Unë nuk shoh se si Serbia mund të ecë përpara pa e përmbushur këtë kusht… Serbia do që të bëhet pjesë e BE-së dhe ky kusht është thelbësor për të ecur në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Dua të kaloj edhe te një çështje tjetër… Inteligjenca amerikane paralajmëroi këtë javë se Ballkani Perëndimor mund të përballet këtë vit me një rrezik në rritje të dhunës ndëretnike, dhe tha se udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjës. Cili është komenti juaj?

Ivan Vejvoda: Mendoj se është shumë e rrezikshme të flitet për ndryshimin e kufijve. Në asnjë rast, në këtë rajon të pas-konfliktit të ish-Jugosllavisë, kjo retorikë nuk shkon në favor të paqes dhe stabilitetit, që ne të gjithë i vlerësojmë aq shumë, pas gjithçkaje që ka ndodhur në vitet 1990 dhe, më pas, incidenteve të tjera gjatë rrugës.

Pritjet e mia janë që kjo të mbetet në nivel retorike, sado e rrezikshme të jetë ajo retorikë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë jehone kanë këto veprime të Dodikut në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor?

Ivan Vejvoda: Aspak pozitive. Në kohën e agresionit rus në Ukrainë, të asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme, midis izraelitëve dhe palestinezëve… Siç e thashë më herët, rajoni është tërësisht brenda rrethinës gjeografike dhe gjeopolitike të BE-së dhe NATO-s dhe kjo duhet parë si avantazh. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të gjejnë shtylla të qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti, në vend se të kërkojnë pika të reja fërkimi dhe përçarjeje.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, çfarë hapash duhet të ndërmerren për ta zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Ballkanin Perëndimor?

Ivan Vejvoda: Janë disa gjëra. Por, më duhet ta them se, pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja e ka kuptuar se ka qenë shumë e ngadalshme në integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në radhët e saj.

Megjithatë, është e rëndësishme të thuhet se përgjegjësia kryesore për procesin e zgjerimit, qëndron te gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat është dashur t’i kryejnë reformat e nevojshme demokratike, reformat institucionale, për të qenë gati për t’u anëtarësuar në BE. Dhe, BE-ja e ka kuptuar se duhet të ketë një rol më aktiv.

Dhënia e statusit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, mendoj se ka qenë një hap i rëndësishëm përpara dhe mesazh për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, fakti që për Bosnjën është rekomanduar nisja e negociatave për anëtarësim, është një dëshmi konkrete se BE-ja e ka kuptuar se duhet të jetë shumë aktive, për t’iu dhënë një dorë vendeve të Ballkanit Perëndimor – në këtë rast Bosnjës – për të ecur përpara sa më shpejt./ Radio Evropa e Lire

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments