Von Cramon në një postim në rrjetin social X, ka thënë se sundimi i ligjit është thelbësor për një shoqëri evropiane funksionale.
“Unë kam kërkuar vazhdimisht të gjitha qeveritë e Kosovës në 4-5 vjetët e fundit që të veprojnë për këtë pasi është një hap i domosdoshëm në lidhje me sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar Viola von Cramon.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se i kanë kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën rreth Manastirit të Deçanit. Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Në mbledhjen e qeverisë sot, Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit, ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit. Sipas Kurtit, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.