Sunday, November 24, 2024
HomeBotaBiden thotë se ShBA’ja do të hedhë ndihma në Gazë prej ajrit

Biden thotë se ShBA’ja do të hedhë ndihma në Gazë prej ajrit

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të nisin dërgimin e ndihmave në Gazë prej ajrit, pas raportimeve për mbi 100 palestinezë të vdekur, që kanë qenë duke pritur për ndihma.

“Ne duhet të bëjmë më shumë, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë”, u ka thënë Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, në nisje të një takimi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

“Në ditët në vijim, ne do t’iu bashkohemi miqve tanë të Jordanisë dhe të tjerëve, duke dërguar ndihma prej ajrit”, ka thënë presidenti 81-vjeçar.

Ky njoftim vjen teksa zhvillohen negociatat për një armëpushim në mes të Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Lufta është nxitur prej Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar, pasi luftëtarët e tij kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke i vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Izraeli është zotuar për të shkatërruar Hamasin dhe si pasojë e ofensivës së tij ajrore dhe tokësore në Gazë janë vrarë mbi 30.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Biden ka bërë thirrje disa herë për të shmangur vrasjet e civilëve, ndonëse vazhdon të mbajë lidhjet e forta me Izraelin, aleatin e SHBA-së.

Presidenti amerikan ka thënë se shpreson që të arrihet një armëpushim gjashtëjavor përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit për myslimanët.

Bisedimet për armëpushim janë komplikuar pas incidentit të së enjtes, kur dhjetëra palestinezë të uritur janë vrarë duke u nxituar për të marrë ndihmë në veri të Gazës, ku sipas Kombeve të Bashkuara ka rrezik të madh për uri.

Një burim izraelit e ka pranuar se ushtria ka shtënë me armë zjarri në drejtim të turmës, duke besuar se ata kanë përbërë “kërcënim”./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments