Policia doli zyrtarisht në konferencë dhe njoftoi se për krimin janë arrestuar 3 fëmijët e Pëllumb Metës, ndërsa bashkëshortja e tij, Blerina Meta është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Ekzekutor i krimit, sipas Policisë së Durrësit, ka qenë djali i madh i familjes, 24-vjeçari Hysen Meta, i cili ka shkrepur armën pistoletë model 54, që u gjet në një zonë moçalore te “Vaskat”. Hysen Meta ka pranuar para uniformave blu autorësinë e krimit të rëndë.
Ndërkohë, vajza e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta ka qenë bashkëpunëtore në krim. Për vrasjen është arrestuar edhe djali tjetër, 22-vjeçari Amarildo Meta, që akuzohet se ka ndihmuar në fshehjen e trupit të të atit.
24-vjeçari Hysen Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme familjare dhe nxitja e babait që motra e tij, Hygerta Meta, të martohej me një djalë pa dëshirën e saj.
Ka qenë djali i viktimës, Hysen Meta, ai i cili ka kallëzuar më 13 Shkurt 2024 në polici se babai i tij ka humbur kontaktet me familjen dhe ishte zhdukur. Në këtë moment, uniformat blu kanë nisur kërkimet për gjetjen e Pëllumb Metës, por pas hetimeve, policia ka konstatuar se ky rast nuk kishte të bënte me zhdukje, por me vrasje në familje.
Rolet e familjarëve në krimin e rëndë: Ekzekutor i krimit ka qenë djali i Pëllumb Metës, 24-vjeçari Hysen Meta, i cili ka shkrepur armën. Vajza Hygerta Meta ka qenë bashkëpunëtore në krim, ndërsa djali tjetër 22-vjeçar, Amarildo Meta ka ndihmuar me fshehjen e trupit të të atit. Të tre fëmijët e Pëllumb Metës janë arrestuar. Ndërkohë, bashkëshortja dhe njëherësh nëna e tre fëmijëve është proceduar penalisht pasi me mosveprimet e saj ka penguar për zbardhjen e krimit.
Dinamika e krimit: Vrasja e Pëllumb Metës ka ndodhur në një prej dhomave të banesës dhe trupi u transportua dhe u varros në kasollen aty afër. Në banesë u gjet predha e armës së zjarrit.
Motivi: Fëmijët e arrestuar deklaruan se motivi kanë qenë konfliktet e vazhueshme familjare dhe nxitja e babait që vajza të martohej me një djalë pa dëshirën e saj.
Armët e sekuestruara: Janë gjetur edhe pjesë të armëve të tjera kallashnikovi, municion luftarak, veshje të tjera që janë përdorur në kryerjen e këtij krimi. U gjet dhe pistoleta model 54 në një zonë moçalore te vaskat.
Njoftimi i Policisë:
Me marrjen e kallëzimit nisën kërkimet për gjetjen e personit. Më 17 Shkurt është gjetur mjeti që përdorte Pëllumb Meta në Sektor Rinia. Është ngritur grupi posaçëm hetimor ku vijuan kërkimet, u hodhën pistat e hetimet pse ishte zhdukur 50-vjeçar. Më 22 Shkurt u mësua se nuk kishim të bënim me zhdukje, por vrasje në familje.
22 Shkurt, u arrit të gjendet trupi i viktimës që ishte i varrosur në ambientet e brendshme të banesës. Pas ekspertizës, u arrit se viktima është vrarë me armë zjarri. Veprimet hetimore vazhduan dhe nga të gjitha provat e siguruara nga të gjitha veprimet hetimore, u arrit që të gjendeshin provat dhe të arrestojnë, 24-vjeçarin Hysen Meta dhe 19-vjeçaren Hygerta Meta, të dy fëmijët e viktimës që kanë qenë bashkëautorë në këtë krim të rëndë. Është arrestuar dhe djali tjetër, Amarildo Meta, 22 vjeç që ka ndihmuar me veprimet e tij, hetohet në gjendje të lirë dhe nëna e fëmijëve Blerina Meta për veprën penale për veprime që pengojnë të vërtetën.
Vrasja ka ndodhur në banesë në një prej dhomave të banesës dhe trupi i transportua dhe u varros në kasollen aty afër. Në banesë u gjet predha e armës së zjarrit. Janë gjetur edhe pjesë të armëve të tjera kallashnikovi, municion luftarak, veshje të tjera që janë përdorur në kryerjen e këtij krimi. U gjet dhe pistoleta model 54 në një zonë moçalore te vaskat. Shtetasit e arrestuar deklaruan se motivi kanë qenë konfliktet e vazhdueshme familjare dhe nxitja e babait që vajza të martohej me një djalë pa dëshirën e saj. Djali i familjes ka kryer qitjen dhe ka qenë ekzekutori i kësaj ngjarje të rëndë. 19-vjeçarja ka qenë e përfshirë në këtë ngjarje.
Nuk ishte një zhdukje e rastësishme, patjetër që kishim të bënim me diçka tjetër, në këtë rast me krim. Nuk është një konflikt çasti, është ngjarje që dy fëmijët e kanë menduar dhe e kanë kryer së bashku. Këtu vazhdojnë hetimet.
Arma ishte pa leje. Ekzekutori e ka pranuar akuzën, janë vendosur në pozita pohuese për krimin e rëndë. Motra e kishte pranuar, por hetimet e thelluara dhe puna e palodhur e Sektorit të Krimeve të Rënda çoi në zbulimin e autorëve të tjerë. E mbyllëm me sukses këtë hetim të vështirë. Është vërtetuar nga Mjekësia Ligjore, data 10 Shkurt, momenti kur u zhduk 15:00.
19-vjeçarja ishte e para që u arrestua nga Policia e Durrësit pasi u zbulua se Pëllumb Meta ishte vrarë dhe nuk ishte zhdukur. Kjo për shkak se ajo i tha policisë që të atin e vrau pasi nuk pranonte të martohej me një djalë që i kishte gjetur babai. Në dëshminë e para, ajo mori përsipër çdo gjë dhe tha se e kishte vrarë ajo të atin dhe nuk ishte përfshirë asnjë familjar tjetër. Edhe pse grupi hetimor nuk e besonte variantin që krimi të ishte kryer vetëm prej saj.
“Babain e vrava se donte të më martonte me dikë që unë as nuk e doja. Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë. Unë planifikova se si mund të shpëtoja nga kjo fejesë. E vetmja mënyrë ishte ose të arratisesha nga shtëpia ose të vrisja babain. Një ditë nisëm të debatonim prap kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frikë mos më fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait. Pasi e varrosa në afërsi të banesës mendova se edhe policia e besoi se ai ishte zhdukur. Unë e kam kryer e vetme krimin, nuk më ka ndihmuar askush”, mësohet të ketë deklaruar ajo në dëshminë e dhënë pas arrestimit.
Por me kalimin e orëve, Policia e Durrësit arrestoi tre fëmijët e viktimës, ndërsa bashkëshorten e ka proceduar në gjendje të lirë. Hetuesit dolën në konkluzion se pistoleta u shkrep nga djali i madh, ndërsa motra e tij Hygerta dhe vëllai tjetër bashkëpunuan në vrasje dhe fshehjen e kufomës./TVKLAN/