Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ndodhet në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” ka mbajtur fjalim online para protestuesve.
Në fjalën e tij tha se 20 shkurti i sotëm është ndryshe nga ai i 33 viteve më parë, kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, të nderuar qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj, uragani juaj sonte është uragani i lirisë.
Përshëndetjet më të përzemërta për ju që jeni mbledhur, keni mbushur sot Tiranën nga anekënd Shqipëria, nga të gjitha vendet e botës.
Fitimtarë, fitimtarë, fitimtarë.
Zonja dhe zotërinj, 20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e tyre.
Çdo vit më 20 shkurt kemi nderuar një ditë, e cila ndau historinë tonë. Ndau epokën e barbarisë së luftës së klasës, tiranisë së mjerimit dhe izolimit ekstrem nga epoka e triumfit të njerëzve më të shtypur të Europës dhe ndëshkimit mbarëpopullor pas vdekjes së Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore.
Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur e copëtuar në rrugët e kryeqytetit, nderim përjetë guximtarëve, trimave, heronjve të 20 shkurtit për veprën e tyre të pavdekshme.
Por sot, për herë të parënë 32 vite, ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991 sepse sot nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por përballemi me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, në shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë, vjedhjen e lemerishme të qytetarëve nga pushtetarët dhe trafikun e qindra tonelatave drogë dhe narkoeuro.
Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij, si kurrë ndonjëherë më parë, 1 milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët.
Por sot kjo ditë, për ju, për shqiptarët, është ditë besimi dhe guximi.”-tha Berisha.