Monday, November 25, 2024
HomeLajmeProfesori amerikan: Veprimet e Kurtit bëjnë që të gjithë ta harrojnë sulmin...

Profesori amerikan: Veprimet e Kurtit bëjnë që të gjithë ta harrojnë sulmin e Banjskës

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po “e ndihmojnë Serbinë” dhe “po bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën”.

Kanin i referohet vendimit që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, si dhe atij për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, thotë Kanin në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Një ditë më herët, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara me vendimin e saj për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb.

Kanin thotë se kjo “do të thoshte shumë, pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës”.

Ai nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve, por thekson se SHBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.

Kanin thotë se Kosova do të duhej ta shtynte sa më shumë që është e mundur zbatimin e vendimit për dinarin, ose ta revokonte tërësisht.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me kritika masive për vendimin e saj për të ndaluar përdorimin e dinarit serb. Fillimisht, si e shihni ju këtë vendim?

David Kanin: Vendimi bazohet kryesisht në audiencën e tij vendase. Kurti këmbëngul se bën hapa në favor të sovranitetit të Kosovës. Ai beson se dialogu nuk shkon në favor të tij dhe përpiqet t’i nënshtrojë serbët në veri [të Kosovës]. Por, nuk ka funksionuar me kryetarët [shqiptarë të komunave në veri] dhe nuk do të funksionojë as me këtë.

Për audiencën e tij të brendshme, ai e dallon veten nga kundërshtarët e tij, të cilët shihen si më të lakueshëm ndaj presionit perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Qeveria e Kosovës, me këtë vendim, e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara…

David Kanin: Sigurisht, por çfarë do të bëjmë për këtë? Ne e duam Kurtin jashtë, ka kohë që e kemi bërë të qartë. Nuk mendoj se është veçanërisht e rëndësishme retorika e O’Brienit. Ajo që ndodh në politikën e Kosovës ka rëndësi për audiencën e brendshme, por situata ndërkombëtare është shumë më komplekse.

Radio Evropa e Lirë: Po pse një reagim kaq i fuqishëm i SHBA-së ndaj vendimeve të Kosovës?

David Kanin: Është një tjetër dëshmi e antipatisë sonë ndaj Kurtit, e dëshirës sonë që ai të jetë jashtë. Mesazhi ynë për Kosovën është se partneriteti ynë kërcënohet nga veprimet e ndryshme që ai ndërmerr. E kemi pasur të njëjtën ndjenjë kur i ka detyruar kryetarët shqiptarë të komunave të vendosen në veri.

Por, kini parasysh kontekstin e saj – Shtetet e Bashkuara dhe evropianët janë tërësisht të fokusuar në Gazë, në Ukrainë dhe në një sërë problemesh me Kinën. Gjëja e fundit që dëshiron ndonjë ndërkombëtar, janë telashet në Ballkan.

Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë.

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja këmbëngul se do të ketë pasoja për Kosovën. Cilat mund të jenë ato?

David Kanin: Mund të ndërmarrin sanksione, mund të vazhdojnë të bëjnë zhurmë. Nuk e di. Ata po e shfaqin pakënaqësinë. Presioni retorik do të vazhdojë, por, e përsëris, fokusi supozoj se është diku tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni të jem hipotetike – çfarë do të thoshte për Kosovën humbja e partneritetit amerikan?

David Kanin: Do të thoshte shumë pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës. Nuk mendoj se do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën. Nuk do ta tërheqim njohjen e sovranitetit të saj, nuk do t’i japim leje Serbisë për ta pushtuar. Nuk mendoj se pohimet e SHBA-së se është mbrojtëse e Kosovës, do të ndryshojnë.

Mendoj se çështja më e rëndësishme, sinqerisht, është vështirësia që Kurti do të ketë me imponimin [e masës për dinarin], ashtu siç e ka pasur me kryetarët e komunave.

Radio Evropa e Lirë: Në dritën e këtyre kritikave dhe paralajmërimeve nga SHBA-ja, a mendoni se duhet të shtyhet apo tërhiqet vendimi që ndalon përdorimin e dinarit?

David Kanin: E kanë shtyrë tashmë, përderisa flasin për periudhë tranzicioni. Mendoj se duhet ta shtyjnë sa më shumë që është e mundur. Do të ishte gjë e mirë sikur ta revokonin plotësisht. Por, kjo nuk do të shkonte në favor të Kurtit sa i përket situatës së brendshme. Ai nuk i ka tërhequr as kryetarët e komunave, por ka lejuar që të zhvillohet një proces, gjatë të cilit mund të largohen.

Atij mund t’i duhet kohë për të gjetur ndonjë mënyrë edhe për tërheqjen e vendimit për dinarin. Mendoj se ka rrezik për Kurtin nëse përpiqet ta zbatojë.

Radio Evropa e Lirë: Kurti ka bërë shumë hapa pa mbështetjen e aleatëve. Pse?

David Kanin: Ka të bëjë me politikën e brendshme. Po e dallon veten nga kundërshtarët e tij. Pjesërisht është edhe i zemëruar, sepse ai beson se Perëndimi vepron kundër interesave të Kosovës… me të ashtuquajturin dialog që udhëheqin evropianët, me planin franko-gjerman që e kemi harruar, sepse amerikanët dhe evropianët kanë dështuar të arrijnë zbatimin e tij… Pra, këto përkojnë me zemërimin e Kurtit nga, siç beson ai, politika e gabuar ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë edhe në një çështje tjetër. O’Brien ka përmendur disa masa që, sipas tij, i ka marrë Serbia pas incidentit në Banjskë, përfshirë këtu zëvendësimin e shefit të shërbimit informativ. Si i interpretoni ju këto veprime?

David Kanin: Mendoj se [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, nuk është i lumtur me atë që ka ndodhur në Banjskë. Me dorëheqjen e [ish-shefit të shërbimit informativ, Aleksandar] Vulin dhe me disa ndryshime të tjera, mendoj se Vuçiq po përpiqet ta pastrojë shtëpinë e tij, në heshtje dhe gradualisht, sepse Banjska vërtet është shndërruar në një pengesë për të.

Veprimet e Kurtit, edhe sa u përket kryetarëve, edhe vendimit për dinarin, e ndihmojnë Serbinë dhe bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni zhvillimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë?

David Kanin: Mendoj se serbët janë tani në pozitë avantazhi, sepse Kurti nuk do të jetë në gjendje t’i ndalojë dinarët të hyjnë në Kosovë. Kurti po përpiqet t’i bindë bankat komerciale që ta ndihmojnë, të bëjnë një lloj marrëveshjeje, në bazë të së cilës dinarët nuk do të hyjnë ose do të kontrollohen në njëfarë mënyre.

Por, do ta ketë të vështirë që t’i bindë bankat që ta mbështesin, si dhe të ketë më shumë bashkëpunim nga institucionet financiare, sepse është e qartë se qeveritë perëndimore janë kundër kësaj. Serbët, në mënyrë joformale, do të mund të marrin dinarë në Kosovë, çfarëdo që të bëjë Kurti. Pra, do të ketë probleme të mëdha në zbatimin e vendimit.

Radio Evropa e Lirë: E, çfarë në lidhje me dialogun mes dy vendeve?

David Kanin: Dialogu, sinqerisht, ka ngecur. Unë anoj kah qëndrimi i Kurtit për këtë, se dialogu po shkon kundër sovranitetit të Kosovës. Plani franko-gjerman, që amerikanët dhe evropianët po përpiqen t’ia imponojnë Kosovës, është kundër sovranitetit të Kosovës. Unë mendoj se ai është i arsyeshëm në kundërshtimin e tij.

Problemi është se gjërat e tjera që bën, nuk janë të menduara mirë dhe zemërojnë secilin.

Radio Evropa e Lirë: Janë dëgjuar të jenë bërë edhe disa lidhje mes vendimit për dinarin dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A mendoni se ka të tilla?

David Kanin: Lidhja ka të bëjë me politikat e Kurtit për të nxjerrë në pah sovranitetin e Kosovës. Ndalimi i dinarit ka për qëllim të vendosë euron në qarkullim [edhe në zonat me shumicë serbe]. Ai [Kurti] e sheh Asociacionin si organ që funksionon kundër sovranitetit të Kosovës dhe ka të drejtë për këtë. Pra, lidhja ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme të Kurtit për ta avancuar sovranitetin e Kosovës dhe për t’i minimizuar ose eliminuar aftësitë e Serbisë për ta minuar atë sovranitet.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të ketë sukses?

David Kanin: Jo. Është më lehtë të bllokosh diçka sesa të imponosh diçka. Ai ka arritur ta bllokojë Asociacionin. Por, ai nuk do të arrijë t’i bëjë efektivë kryetarët shqiptarë të komunave në veri dhe nuk do të arrijë t’i detyrojë serbët që të heqin dorë nga dinari.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, si e shihni ju zhvillimin e ngjarjeve këtë vit?

David Kanin: Ndërkombëtarët do të përpiqen t’i mbajnë gjërat qetë. Kurti, meqë e ka marrë tashmë vendimin [për valutën], do të ishte mirë të vazhdonte me periudha tranzicioni, ose ta shtynte. Supozoj që do ta bëjë këtë. Por, nëse përpiqet ta zbatojë në ndonjë mënyrë domethënëse, do të ketë telashe.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments