Monday, November 25, 2024
HomeTop LajmetVjet e sivjet Policia e angazhuar në mbrojtjen e Kurtit, Krasniqit e...

Vjet e sivjet Policia e angazhuar në mbrojtjen e Kurtit, Krasniqit e Abdixhikut – kush po i rrezikon liderët politikë të Kosovës?

U raportua se një “tentativë atentati” ndaj kryeministrit u planifikua të realizohej në fundjavë në Shkup. Qeveria e lidhi me paraqitjen e Albin Kurtit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në fund të vitit të kaluar, dy liderët e opozitës, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku u morën në mbrojtje nga Policia e Kosovës. Kush po i rrezikon ata?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte në Shkup në fundjavë, ndërkohë që Radio Televizioni i Kosovës, duke u thirrur në burime brenda institucioneve të sigurisë, raportoi për një plan për atentat ndaj tij. Sipas RTK-së, plani ishte që atentati të kryhej “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.

Pasi u kthye nga Shkupi, Kurti tha se pa shumë forca policore në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku qëndroi të premten në mbrëmje dhe të shtunën, duke konfirmuar në njëfarë mënyre se për sigurinë e tij ishin marrë masa të rrepta sigurie.

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi. Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, tha kryeministri, i cili mori pjesë në takimin rajonal me udhëheqës të partive simotra, të organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se Serbia i shtoi kërcënimet pas përballjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York.

Institucionet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut mohuan se pati rreziqe të tilla. “Nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj tij”, tha Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup. Të painformuara për këtë u shprehën edhe organet e ndjekjes në Kosovë. Ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit të Shtetit, ashtu si kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, thanë se nuk kishin informacione të tilla.

Sidoqoftë, ky nuk është rasti i vetëm kur liderët politikë kërcënohen apo masat e sigurisë së tyre shtohen nga forcat e rendit për shkak të ndonjë informaiconi.

Kurti u kërcënua edhe në verë të vitit të kaluar. Një person me inicialet N.S. ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale pasi kishte shkruar një postim në Facebook me përmbajtje inkriminuese dhe të njëjtën deklaratë e kishte përsëritur në një emision televiziv.

Haxhi Hoti, një ish-kandidat për deputet i Nismës, ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht pasi në vitin 2021, përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se “Albin Kurti i ka dy rrugë, ose ta lëshojë Kosovën, ose mund të vritet”.

Dy liderë të partive opozitare, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u morën në mbrojtje nga Policia në nëntor të vitit të kaluar

Policia kishte konfirmuar se Njësia për Mbrojtjen e Afërt i kishte marrë në mbrojtje dy liderët opozitarë.

Safet Jashari, udhëheqës i Njësisë për Vlerësimin e Rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës nuk kishte pranuar të fliste se cila ishte arsyeja që ishin marrë në mbrojtje Krasniqi e Abdixhiku, me arsyetimin se “këto të dhëna janë konfidenciale”.

As nga PDK-ja dhe LDK-ja nuk kishin pranuar të jepnin më shumë informacione. Për to, thonin se duhej pyetur Policia.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments