Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeGjykata e Apelit liron nga akuza ish-inspektorët e Prishtinës, të dënuar me...

Gjykata e Apelit liron nga akuza ish-inspektorët e Prishtinës, të dënuar me 4 vjet burgim për korrupsion

Prishtinë-Gjykata e Apelit ka liruar nga akuza ish-inspektorat e Komunës së Prishtinës, Ismet Halitin, Skender Canollin, Vehbi Abdullahu dhe Mërgim Shala, lidhur me akuzat për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të njëjtit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 korrik, në rigjykim i kishte dënuar me 4 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht Apeli ka liruar nga akuzat për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” Halitin dhe Canolli pasi që nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë veprime për çka kanë qenë të autorizuar si zyrtar.

Për katër të akuzuarit Apeli ka refuzuar akuzën për pikat 1.2,3,4,5 dhe 6 të dispozitivit të aktakuzës, kjo për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Në vendimin e Apelit thuhet se nga provat e administruara në çështjen konkrete nuk arrihet të vërtetohet në mënyrë bindëse se të akuzuarit Haliti dhe Canolli në kuadër të veprimeve zyrtare nuk kanë ndërmarrë veprimet sipas autorizimeve përkatëse ligjore.

Kurse, lidhur me çështjen e konfiskimit Apeli ka sqaruar se meqenëse vendimi ndaj të akuzuarve është i karakteri lirues, atëherë ndaj tyre nuk ka bazë ligjore për konfiskimin e gjësendeve të tyre.

Fillimisht brenda afatit ligjorë ankesë ka parashtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), duke i propozuar Apelit që ndaj të akuzuarve të shqiptoj dënim më të ashpër.

Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e PSRK-së të aprovohet, ndaj të akuzuarve të shqiptohet një dënim më i ashpër.

Po ashtu ankesë ndaj vendimit të Themelores kanë paraqitur edhe mbrojtësit e të akuzuarave, Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala, të cilët i kanë propozuar Apelit që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza ose rasti të kthehet në rigjykim.

Në fund e dëmtuara Komuna e Prishtinës është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Më 19 gusht 2021, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vite burgim  dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu.

Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014, ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.

Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kishte aprovuar këto kërkesa dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë vetëm për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Pozhegu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments