Me rastin e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në SHBA, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se kjo seancë ishte e domosdoshme, pasi siç tha ai, Kurti në të kundërtën do të vazhdonte të shtypte serbët e Kosovës.

“Serbia arriti disa gjëra shumë të rëndësishme, së pari u pranua kërkesa jonë për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit, pastaj arritëm që seanca të ishte e hapur për publikun dhe në fund, me fjalimin e presidentit Vuçiq, ne dhamë argumentin tonë më bindës në lidhje me situatën në Kosovë, të cilën askush nuk mund ta përgënjeshtrojë”, tha Daçiq.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se ka vende që nuk mund të pritet të ndryshojnë qëndrim për çështjen e Kosovës.

“Ata dukej se e dinin se do të ishte një paraqitje jashtëzakonisht bindëse e Serbisë dhe presidentit të saj, kështu që pati shumë rezistencë që seanca e Këshillit të Sigurimit të ishte e hapur, kryesisht nga vendet e mëdha perëndimore”, theksoi Daçiq.

Ai ka vlerësuar se nëse Serbia nuk e ngre zërin, askush nuk do ta bëjë për të.

“Një seancë e Këshillit të Sigurimit nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet, sado bindës për qëndrimin e Serbisë. Por nëse nuk do të kishte seancë, Kurti do ta kishte shumë më të lehtë të vazhdonte si më parë, ai do të inkurajohej të shtypte edhe më shumë serbët e Kosovës”, tha Daçiq.