Monday, November 25, 2024
HomeLajmeMartens i FAZ e paralajmëron BE’në për Vuçiqin: Përgatituni, Serbia mund të...

Martens i FAZ e paralajmëron BE’në për Vuçiqin: Përgatituni, Serbia mund të veprojë në Kosovë

Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, në profilin e tij në platformën “X” ka shkruar për atë që po ndodh në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për rrezikun e shpërthimit të një konflikti të ri në rajon. Martens ka rikthyer në vëmendje një shkrim të tij të vitit 2022 ku kishte argumentuar se s’kishte rrezik për një luftë në Ballkan, megjithatë thotë se ky qëndrim që vlente për atë kohë, duhet të rishikohet sepse sipas gazetarit Martens “gjakderdhja në Kosovë mund të ndodh në të vërtetë”

Në këtë shkrim ai ka listuar të gjithë indikatorët për një rrezik të tillë. Martnes thotë se një nga mësimet që duhet marrë nga lufta në Ukrainë, është se nëse politikanët flasin, duhet të merren seriozisht.

Këtu përmend paralajmërimet e Vladmir Putin që tregonin se Rusia do të sulmojë Ukrainën, e ku shumica nuk dëgjuan apo nuk e morën seriozisht Putinin me arsyetimin se “janë vetëm fjalë” dhe “ai s’do ta shkatërrojë ekonominë e tij”.

“Sot të gjithë e dimë më mirë”, ka shkruar Martens, raporton Gazta Express.

Gazetari gjerman tutje shkruan se Aleksander Vuçiq nuk është Putini dhe se Serbia dallon nga Rusia në aspektin politik, gjeografik e ekonomik.

“Ndryshe nga diktatori rus, Vuçiq nuk e ka humbur kontaktin me realitetin”, shkruan Martens. Ai thotë  se presidenti serb e kupton fare mirë proporcionin e fuqive në botë.

Tutje Martens ka listuar arsyet se pse është shumë e rëndësishme të dëgjohet dhe merret serozisht kur presidenti serb, Aleksander Vucic flet. Këtu përmend shembullin kur Vuçiq shpreh admirim për pushtetin në Azerbejxhan dhe mënyrën se si Ilham Aliyev e trajtoi çështjen e rimarrjes së rajonit të Nagorno-Karabakh, raporton Express.

Martens përmend një intervistë të Vuçiq të dhënë në dhjetor 2023, kur thotë se “Babai i Ilham Aliyev, Gajdar, i dha fund konfliktit në vitet 90-ta. Unë e kam ndjekur çfarë po ndodh atje për një kohë të gjatë dhe kam përcjellë se çfarë armatimi është përdorur për ta kthyer Karabakhun”.

Gazetari gjerman shton edhe një citat të intervistës së Vuçiq ku tregon se si Gajdar kishte pranuar kushte poshtëruese në vitin 1994 sepse duhej dhe se si djali i tij priti për më shumë se 20 vjet për një mundësi më të favorshme.

“Përfundimi është se Gajdar pranoi kushte poshtëruese në vitin 1994, sepse duhej. Ai e kuptoi se ishte shumë më i dobët. Dhe ai priti për 10 vjet. Pastaj djali i tij (…) priti 17 vjet për një mundësi. Kaluan 20 vjet e më shumë, ata prisnin mundësi të favorshme”, citon Martens fjalët e presidentit serb.

Sipas tij, paralelja që bën Aleksander Vuçiq është e qartë. Sipas gazetarit gjerman, deklarimi i Vuçiq për atë që Azerbajxhani ka bërë me Nagorno-Karabakh është projeksion për raportin Serbi-Kosovë

“Në vitin 1999, Serbia me një Vuçiq të ri si pjesë e Qeverisë, pranoi kushtet poshtëruese, sepse duhej. Beogradi e kuptoi që ishte shumë i dobët. Që atëherë Serbia duhej të priste për “mundësi më të favorshme”, sikurse Azerbajxhani”, shkruan Martens.

Megjithatë Martens thotë se Vuçiq nuk i kishte theksuar për audiencën ngjashmëritë mes Karabakhut dhe Kosovës, meqë ishin të qartë për secilin.

“Duhet të jeni i verbër apo i shurdhër (apo të mos dini asgjë rreth historisë së fundit të Ballkanit) për të mos e kuptuar atë”, ka shkruar Martens.

Tutje gazetari gjerman përmend edhe një intervistë tjetër të Vuçiq për “Sputnik”, ku sipas Martens, Vuçiq ishte edhe më i qartë dhe i detajuar në paralelet mes Azerbejxhanit dhe Kosovës. Megjithatë thotë se Vuçiq nuk e ka përmendur në mënyrë eksplicite Kosovën meqë për audiencën e tij ishte e qartë.

Për këtë intervistë në Sputnik, Martens tregon se si Vuçiq ka treguar se si në vitet e 90-ta Azerbejxhani ka qenë thjeshtë shumë i dobët për të luftuar kundër Armenisë dhe Rusisë si fuqi mbrojtëse të saj.

“Por Azerbejxhani bëri gjithçka drejt”, ka shtuar tutje Vuçiq duke treguar se si më pas shteti azer ka forcuar ekonominë, ushtrinë dhe mbi të gjitha forcat speciale.

“Pastaj Azerbajxhani priti me durim për shumë vite për një ndryshim në mjedisin gjeopolitik, vetëm që forcat e tij speciale të godasin kur të vinte koha. “Kur sheh se nuk ke forcë, duhet të pranosh të gjitha goditjet në shpinë”, citon Martens fjalët e Vuçiqit ku presidenti serb përmend edhe rrugën për të arritur rezultatin e njëjtë.

“Pranoni atë që duhet të pranoni dhe prisni momentin kur mund të arrini një rezultat tjetër”, ka thënë Vuçiq.

Martens tutje thotë se shembulli i Azerbejxhanit është shumë i popullarizuar në pjesën nacionaliste të elitës në Serbi dhe se është përmendur si një shembull se si “Kosova mund të mos humbasë plotësisht, në fund të fundit”, shkruan Gazeta Express.

Këtu Martens sjell deklaratat e ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, i parëndësishëm politikisht, por që sipas gazetarit gjerman jo edhe sa i përket linjës ë mendimit.

“Përkundrazi, është përfaqësim për mendimin nacionalist në Serbi”, shkruan Martens.

Ai tutje tregon se si Jeremiq duke shpjeguar se si një dekadë më parë çështja e Nagorno Karabakh dukej e mbyllur dhe se si njerëzit kanë thënë se asnjë azer s’ka jetuar atje.

“Por 10 vite më vonë ndodhi e kundërta. Mësimi: rrethanat ndërkombëtare ndryshojnë”, citon Martens fjalët e ish-diplomatit serb.

Michael Martens i FAZ më tej  argumenton edhe nga një kënd tjetër, duke përmendur faktin që Serbia prodhon armatim që përmes ndërmjetësve po përfundojnë në duart e ushtrisë së Ukrainës.

Këtu gazetari gjerman përmend G-2000 një raketë me rreze të gjatë veprimi, më të gjatën në botë brenda kalibrit të saj, gjë për të cilën prodhuesit flasin me krenari.

Martens ka cituar edhe një burim lokal që ka lidhje me Beogradin, megjithatë pa arritur ta verifikojë atë që ky burim ka thënë rreth municioneve serbe që përdoren në Ukrainë.

“Një burim lokal i lidhur shumë mirë në Beograd kohët e fundit madje më tha se municionet serbe në Ukrainë kanë dëshmuar se kanë një shkallë precize shumë më të lartë se municionet nga Bullgaria. Nuk kam asnjë mënyrë për ta verifikuar këtë, por burimi i di vërtet faktet dhe shifrat”, shkruan Martens.

Martens thotë se Serbia shihet si një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm në furnizimin e Ukrainës me armë dhe municione dhe potencon se kjo në anën tjetër krijon hapësirë manovrimi për presidentin serb Aleksander Vuçiq në aspektin e brendshëm dhe në atë rajonal, dhe sipas Martens Vuçiq po e përdor në mënyrë shumë të mençur.

Martens rikthehet tek Kosova dhe thotë se mbase njerëzit mund të thonë se SHBA ka bazën e saj në Bondsteel dhe se Serbia s’do të guxojë të ndërhyjë ushtarakisht në Veri të Kosovës. Gazetari i FAZ thotë se kjo mbase është e vërtetë, megjithatë shtron pyetjen nëse kjo do të vazhdonte të vlente në rast se Donald Trump do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë.

Ai thotë se për të pasur një pasqyrë se çfarë potencialisht mund të ndodh me rajonin në rast se Trump rikthehet, duhet parë se çfarë Richard Grenell shkruan në “tëitter” për Kosovën dhe Serbinë  dhe të imagjinohet se çfarë do të nënkuptojë për këto dy vende nëse ai do të bëhet Sekretar i Shtetit.

Në fund Martens thotë se s’është çudi që Aleksander Vuçiq e nderoi personalisht Richard Grenellin.

“Kjo është ajo që bëni me miqtë. Sidomos me ata që mund t’iu duhen ende”, ka shkruar Martens.

Ai tutje thotë se askush nuk e di se çfarë do të ndodh me zgjedhjet në SHBA dhe kush do të fitojë, por thotë se nëse Trump fiton dhe e bën Richard Grenellin apo ndonjë të njëjtë Sekretar Shtetit, atëherë rajoni duhet të përgatitet për ndikim.

“Sidomos Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, siç është linja bazë e Grenellit; “Të krishterët të mirë, myslimanët të këqij.””, shkruan Martens,

Në fund gazetari i FAZ i cili ka një përvojë dhe njohje të gjatë me rajonin, thotë se nëse situata gjeopolitike ndryshon dhe nëse Vuçiq beson se janë kushtet e përshtatshme për të vepruar në Kosovë pa i shkaktuar shumë dëme ekonomisë serbe, atëherë një gjë e tillë mund të ndodh.

“ Vini re theksin e tij mbi rëndësinë e krijimit të forcave speciale”, shkruan Martens.

Ai në fund jep një këshillë për BE-në që të përgatiten politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht për një zhvillim të tillë të mundshëm në Ballkan ose “do të pushtohen nga ngjarje që mund t’i kishin parë të vijnë, por që s’i kanë parë”.

Gazetari gjerman thotë se s’duhet llogaritur as në opozitën serbe, meqë një pjesë e saj thotë se përsërit si papagall linjat nacionaliste serbe në Kosovë dhe të tjerët fajësojnë Perëndimin për mungesën e rëndësisë së tyre.

“Për momentin, kjo është e pashpresë”, përfundon gazetari gjerman i FAZ, Michael Martens.

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments