Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), informon se për shërbimet e rrjetit kabllor ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllor që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës, nëse operatori nuk ka arritur të përmbush obligimet sipas kontratës.
MINT thekson se është në kundërshtim me nenin për Mbrojtjen e Kosnumatorit, detyrimi që iu është vënë konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit.
Njoftimi i plotë i ministrisë:
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ( MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut ( IQMT), pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve që ka pranuar Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit, lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllor që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës, nëse operatori nuk ka arritur të përmbush obligimet sipas kontratës.
Detyrimi që iu është vënë konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/ kanaleve, është në kundërshtim me nenin 72, paragrafi 1, nën paragrafi 1.15 i Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku specifikohet që “Kushtet të cilat konsiderohen si të padrejta janë ato kushte të cilat kanë qëllimin apo efektin e: Detyrimit të konsumatorit që të përmbushë të gjitha detyrimet e tij kur shitësi ose furnizuesi nuk i përmbush obligimet e tij”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë konsumatorëve, prandaj me këtë rast i falënderon për besimin që ata tregojnë, duke i dërguar të gjitha ankesat e tyre pranë Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të MINT për shqyrtim të mëtejmë nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe institucionet tjera përgjegjëse, me trajtimin me kujdes të secilës ankesë që vjen nga qytetarët, përkatësisht konsumatorët.
Konsumatorët mund t’i paraqesin ankesat duke telefonuar në numrin pa pagesë: 0800 11000 apo përmes e-mail adresës: konsumatori@rks-gov.net.