Ardita Sinani, Këshilltare e Kryeministrit Albin Kurti i ka reaguar Bashkimit Europan që sot nëpërmjet zëdhënsit Peter Stano kërkoi që Kosova t’i ndalë aksionet e njëanshme -operacionet policore në zyrat paralele të Serbisë në Kosovë dhe ndalimin e dinarit.
“Kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja lehtësisht bën thirrje që çështjet e brendshme si mbyllja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i Kushtetutës së Kosovës për përdorimin e valutës së EURO-s të jenë pjesë e diskutimeve e temave të dialogut në Bruksel”, ka shkruar Sinani.
“Por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë? Apo për mospërmbushjen e marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë?”, ka shtuar këshilltarja e Kryeministrit.