Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se në marrëdhëniet institucionale nuk do të ketë pengesa mes Kosovës dhe shtetit që ai drejton.
Ai këtë deklaratë e dha kur u pyet për raportin e tij me kryeministrin Albin Kurti pas vendimit të këtij të fundit që ta mbështesë opozitën e Xhaferit.
“Vendimi politik është çështje e tij dhe nuk më takon mua ta komentoj si veprim. Por, në marrëdhëniet institucionale nuk ka pengesa dhe nuk do të ketë pengesa në komunikimin institucional. Ne përfaqësojmë qytetarët dhe institucionet e shteteve përkatëse dhe në atë kuptim raporti im me qytetarët e Kosovës nuk duhet të bazohet mbi atë raportin personal apo politik të subjektit politik që i takoj me subjektin politik që e përfaqëson kryeministri në Kosovë. Kështu që nuk ka dallim dhe nuk ka pengesa dhe nuk do të ketë pengesa nga ana ime, sepse unë s’i shoh punët në atë kuptim, i shoh punët pak më shumë sesa që janë veprimet e subjekteve politike. Zatën, përmes rrjeteve sociale më kanë uruar të gjithë bartësit e institucioneve në Kosovë, Shqipëri e përreth”, tha Xhaferi në një intervistë në Euronews Albania, transmeton Gazeta Express.
Pasi Xhaferi mori postin e kryeministrit, Kurti e uroi atë përmes Facebook-ut, duke përmendur se është në krye të qeverisë teknike.
“Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, ka shkruar Kurti.
Pak ditë më pas, kryeministri Kurti të martën e kësaj jave i priti në zyrën e tij në Prishtinë liderët e disa partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, ishin ftuar nga shefi i Qeverisë së Kosovës në takimin në të cilin mori pjesë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.