Tuesday, November 26, 2024
HomeLajme“Revansh i pastër”, reagimet nga PDK’ja pasi Përparim Rama ua shkarkoi Drejtorin,...

“Revansh i pastër”, reagimet nga PDK’ja pasi Përparim Rama ua shkarkoi Drejtorin, e lidhin me kundërshtimin e tyre për këmbimet

Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur revansh vendimin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, për shkarkimin e Drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun, që vjen nga kjo parti. Kjo parti pretendon se vendimi i Ramës vjen pasi i dolën publikisht kundër këmbimit të pronave. Vetë Rama ka thënë se shkarkimi ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka shkarkuar dje Ilirik Musliun nga pozita e Drejtorit të Shërbimeve Publike. Musliu vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, parti me të cilën Lidhja Demokratike e Kosovës bashkëqeverisë me kryeqytetin

Vendimin, Rama e arsyetoi me gjendjen me mbeturina në kryeqytet.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar.  Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike”, shkroi Rama.

“Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë.   Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, thuhet në postim.

Nënkryetarja e Komunës, që vjen poashtu nga PDK’ja, Donjeta Sahatçiu, tha se shkarkimi i fshehur lidhet me qëndrimin e PDK’së rreth këmbimit të pronave.

“Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik”

Por, Sahatqija nuk u ndalë këtu. Ajo akuzoi Ramën se gjatë dhjetorit ka dhënë urdhër për digjitalizimin në arsim pa dijeninë e saj. Sipas Sahatçiut ky është një proces i dëmshëm me një planifikim skandaloz të buxhetit.

“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njejtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë” ka shkruar ajo.

Edhe Shefi i Asambleistëve të PDK’së, Leutrim Retkoceri, e ka quajtur hakmarrje këtë vendim, pasi dolën publikisht se nuk përkrahin këtë këmbim.

“Rama për Badovc u hakmor! Pasi treguam publikisht se PDK nuk mbështet këmbimin e pronave në Badovc me ish-klientët e tij”, ka thënë Retkoceri

Vendimi i të parit të Prishtinës erdhi vetëm një ditë pasi partneri i koalicionit, PDK’ja i doli hapur kundër vendimit që ishte miratuar me propozim të tij për këmbimin e pronës komunale te Prishtina e Re me pronat private të dy bisnesmenëve në Badoc, që më parë i ka pasur klientë.

Shefi i asambleistëve te PDK’së, Leutrim Retkoceri deklaroi se koalicioni po vazhdon, por se kjo nënkupton që i votojnë pikat për të cilat kanë bindje paraprake.

Ai tha se kjo parti ka deklaruar edhe gjatë fushatës së është kundër këmbimeve.

“Po po sigurisht që jemi në koalicion…Edhe ne si pjesë e qeverisjes, si Parti Demokratike e Kosovës, në Komunën e Prishtinës, kemi qëndrim të qartë dhe konsistent për këtë çështje. Kandidati jonë për kryetar e ka edhe një deklaratë se është kundër ndërtimeve në Badoc dhe këmbimeve poashtu. Në vitin 2021, kjo çështje ka ardh për herë të parë në Kuvend Komunal, këmbimi i parë… grupi i PDK’së nuk e ka përkrahur këmbimin as atëherë dhe nuk e përkrah as sot. Çështja jonë sot pse jemi në koalicion, nuk nënkupton që ne me automatizëm mund të votojmë për pika të caktuara, për të cilat kemi bindje paraprake dhe kemi qëndrime të qarta”, tha Retkoceri.

PDK’ja nuk ka marrë pjesë në seancë kur kjo pikë është hedhur në votim.

“Ne nuk kemi hyrë në seancë me bindjen se me mos hyrjen tonë kjo pikë nuk do ta merr votimin e asambleistëve. Për mendimin tonë, kjo nuk është një pikë në interes te publikut pasi që që ka pas forma dhe mundësi të tjera që të trajtohet…”, tha Retkoceri.

Ai tregoi edhe pse PDK’ja doli kundër vendimit.

“Ne kemi bërë thirrje dhe protesta jonë ka qenë që duhet më shumë transparencë jo vetëm në këmbime, por edhe çështje tjera sidomos. Çështja konkrete, nëse interes publik, ne qysh në vitin 2021, e kam një deklaratë që ia kom thanë ish- kryetarit Shpend Ahmeti, çka je tu ba me këto këmbime, je ka merr mal e je ka jep tokë…Unë besoj që nuk është përmbushur mjaftueshëm interesi publik, për çka gjithmonë e ngrisim zërin dhe kemi dallime dhe bindje të ndryshme”

Për kalimin e këtij propozimi, ai disa herë fajësoi Vetëvendosjen që ka bërë kuorumin.

Shefi i asambleistëve të VV’së, Gëzim Sveçla e interpretoi këtë si frikë dhe pafuqi të PDK’së për t’i dalë kundër partnerit qeverisës

“Nga pafuqia dhe frika me u marr me partnerin e koalicionit dhe kryetarin, ky mirret me Vetëvendosjen thotë pse ka qëndru, nuk mirret me Lidhjen Demokratike pse keni votu ju”, tha ai.

Sveçla më vonë e përmendi edhe mungesën e PDK’së në seancat e tjera dhe ngriti dyshime se raportet mes partnerëve qeverisës janë prishur. Tha se drejtorët as nuk shkojnë në punë e as nuk flasin me njëri-tjetrin.

“As nuk dalin në punë, as nuk komunikojnë me njëri tjetrin. Prishtina kurrë ma pa zot shtëpie s’ka qenë”.

“Prej kur ka ardhë plani për Lagjen Kalabria, këta nuk hyjnë në seancë”, tha Sveçla.

Këtë e mohoi Retkoceri.

“Nuk është e vërtëtë, mos shpif”, tha ai.

Tutje, Sveçla tha se disa 15 pika të rendit të ditës janë pamundësuar kanë dështuar të votohen “për shkak se këta zotnitë nuk po arrijnë me i barazu interesat e veta”

Ai edhe e pyeti disa herë Kryesuesin e Kuvendit që vjen nga LDK’ja, Pëllumb Bajqinovcin, nësë janë në koalicion me PDK’në, mirëpo ai nuk i ktheu përgjigje.

Për votën kundër, Bajqinovci tha se e sheh shumë demokratike.

“Sa i përket votimeve të caktuara, në këtë rast po flasim për partnerin, por më herët ka pasur raste kur edhe delegatët e Lidhjes Demokratike kanë votuar kundër kryetarit, që është plotësisht demokratike… Atë po e shoh shumë demokratike dhe të shëndoshë”, tha Bajqinovci.

Një përgjigje për këtë e dha Retkoceri.

“Meqë po flitet për koalicion, unë i thash edhe Gëzimit që sot nëse do ia lëshojmë vendin me hy në koalicion. Ma mirë o me hy se me mundesu kuorumin tinza. Është mirë meqë jemi duke fol për koalicion t’i qesim në theks edhe çështjet që jane me rëndesi për qytetarët. Jemi në koalicion dhe po e tregoj arsyen pse kemi hy. Ne kemi hy në koalicion me vazhdu një rrugëtim të një fushate që e kemi pas dhe një besimi të qytetarëve qe vizioni dhe fryma e asaj fushate te hyjë në funksion dhe dobi te interesit të qytetarëve te Prishtinës. Në bindjet tona dhe synimet tona nuk na luhasin cështje të caktuara”, tha Retkoceri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments