Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeOrbani problem për BE-në, Michel braktis planet për largim, shtetet anëtare mendojnë...

Orbani problem për BE-në, Michel braktis planet për largim, shtetet anëtare mendojnë t’ia heqin të drejtën e votës Hungarisë

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka braktisur planet e tij për t’u larguar para kohës nga posti që mban, kjo për shkak të frikës se rolin e tij mund ta marrë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shkruan The Guardia.

Ky vendim i Michel vjen gjashtë ditë para takimit të liderëve të BE-së, takim ky që parashikohet të jetë shumë i vështirë meqë Orban pritet të bllokojë edhe një herë pakon mbështetëse prej 50 miliardë eurove për Ukrainën.

Si rezultat i qasjes destruktive të Viktor Orban, siç shkruan e famshmja britanike “The Guardian”, liderët e BE-së janë duke shqyrtuar aktivizimin e një mekanizmi që do t’ia hiqte Hungarisë të drejtën e votës.

Paralajmërimi i Michel për një largim të parakohshëm, kishte nxitur spekulime se Orban mund të bëhej “aksidentalisht” president nga korriku, nëse shtetet anëtare nuk do të ishin në gjendje që të gjenin një pasardhës mjaftueshëm shpejt.

Në rrethana normale, drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së vendosen pas zgjedhjeve evropiane në qershor. Procesi mund të zgjasë shumë muaj dhe sipas rregullave të traktatit të BE-së, vendi që mban presidencën e radhës gjashtëmujore merr postin në mungesë të një presidenti të zgjedhur.

Me Hungarinë që do të marrë presidencën për gjashtë muajt e dytë të vitit, kjo do t’i jepte Orbanit frenat në dorë.

“Unë nuk dua që ky vendim të na shpërqendrojë nga misioni ynë ose të minojë këtë institucion dhe projektin tonë evropian dhe as të keqpërdoret në asnjë mënyrë për të përçarë Këshillin Evropian,” ka deklaruar Michel.

Roli i presidentit përfshin kryesimin e takimeve të Këshillit Evropian dhe ndërmjetësimin e marrëveshjeve midis shteteve anëtare, duke përfshirë betejën aktuale për të bërë që Hungaria të mbështesë paketën e mbështetjes për Ukrainën.

Sipas The Guardian, burimet me njohuri për këto negociata thanë se Orban dukej sikur do të bllokonte fondet përsëri të enjten e ardhshme, kur do të zhvillohet një takim i jashtëzakonshëm i liderëve të BE-së për të diskutuar çështjen që u pezullua pasi kryeministri hungarez refuzoi të mbështeste paketën financiare për Kiev në samitin e tyre të fundit në dhjetor.

Burimet e “The Guardian” thonë se durimi i shteteve anëtare është duke u testuar në pikën e thyerjes dhe, nëse nuk ka një përparim në gjashtë ditët e ardhshme, 26 vendet e tjera anëtare mund të lëvizin për t’i hequr Hungarisë të drejtën e votës krejtësisht.

Burime diplomatike thonë se liderët e BE-së mendojnë se duhet t’i japin fund asaj që ata e shohin si “shantazh”.

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments