Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovës.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi te shkolla “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ku Policia ka ndaluar një të mitur, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te i dyshuari, pas kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi me substancë narkotike, të llojit marihuanë. Përveç drogës, i dyshuari u kap edhe me një mjet të mprehtë (thikë).

Qesja me marihuanë dhe provat e tjera janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.