Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeEkspertët analizojnë çatinë e rrëzuar të Komunës, e quajnë ndërtim të papërgjegjshëm

Ekspertët analizojnë çatinë e rrëzuar të Komunës, e quajnë ndërtim të papërgjegjshëm

Arkitekti Visar Geci e ka cilësuar të papërgjegjshëm punën e kryer me kulmin e objektit të Komunës së Prishtinës, që ra para dy ditësh duke lënduar rëndë një qytetare. Në një shkrim në Facebook, pas analizës së përbashkët me arkitektin Gëzim Kastrati dhe me inxhinierin e ndërtimtarisë Arbër Muçajn, Geci ka deklaruar se bëhet fjalë për “poshtërsi e papërgjegjësi të bërë qëllimshëm”.

Geci ka thënë se përvoja që kanë marrë nga tërmeti në Shqipëri ka bërë që ta kenë më të lehtë të konstatohen shkaqet e dëmit. Ai ka publikuar edhe fotografi përmes së cilave ka thënë se shfaqen parregullsitë e ekzekutimit të punimeve.

“Kulmi përgjatë perimetrit të tij ka pasur strehë (shih foto 1.). Si pasojë e erërave, presioni i krijuar nën strehën e kulmit e ka nda konstruksionin e kulmit nga muri vertikal ku kulmi ka peshuar. Pas pamjeve dhe hulumtimeve në teren kemi hasur në shumë parregullsi të ekzekutimit të punimeve në konstruksionin e kulmit”, thuhet në raport.

Image

Në pikën e dytë, arkitektët kanë konstatuar se karriget e kulmit kanë qenë të ndërtuara jashtë standardeve dhe nga materiali i dobët. “Mungonte ANKERIMI adekuat me fileta dhe profile metalike si dhe lidhjet e drurit sipas normave”, ka shkruar ai.

Image

“Kapriatat apo konstrukcioni primar sipas dëshmive në teren rezulton të jetë i ekzekutuar mirë dhe si i tillë nuk është dëmtuar e as nuk është shkaktarë i dëmit”, ka vazhduar Geci në pikën tjetër të raportit.

Image

Sipas tij, nga hulumtimi është parë se s’ka pasur “ASNJË ankerim i brinakeve por ato vetëm mbështeten mbi murin e jashtëm”. “Kjo është arsyeja kryesore pse erërat disa herë kanë dëmtuar këtë kulm”, ka thënë ai.

Image

Geci ka thënë se edhe konstruksioni sekondar është i kapur me gozhda dhe jo fileta a profile adekuate metalike sipas normave. Ai ka thënë se edhe dritarja në kulm është jashtë normave a standardeve, apo jo e dedikuar për kulme.

Image

“Kushdo që e ka ekzekutue këtë punë, mbikqyrësi dhe ai që e ka ba pranimin teknik jan’ flliqina e k’ti vendi! Pa pik’ morali e etike pune! Edhe me ju pas’ urdhnu me tytë pushke n’ball’ me ba kët’ vepër t’flliqt u dasht mos me ba sepse e keni dit’ SIGURT që dikon ka me marr n’qafë! Me ba deri n’kit nivel k’so “gabime” nuk asht punë mosdije por asht poshtërsi e papërgjegjësi e bane qëllimisht!” ka përfunduar ai.

Kjo nuk është hera e parë që objektit të ri i rrëzohet çatia. Një pjesë i është rrëzuar edhe në 2017-n, e banorë të lagjes i thanë KOHËS që e njëjta gjë ka ndodhur edhe më vonë.

Në gushtin e vjetëm Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë për rindërtimin e kulmit të objektit të ri. Kontrata është në vlerë 386 mijë euro dhe për periudhën prej 12 muajsh. Kësisoj, tenderi për rregullim ishte në afat të zbatimit kur u rrëzua kulmi.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, ka thënë të premten se objekti i Komunës së Prishtinës të cilit i ra kulmi të enjten nuk do të hapet derisa të bëhet vlerësimi i plotë që të mos ketë rrezik për qytetarët dhe punonjësit. Fushtica ka paralajmëruar se do të analizohen të gjitha faktet dhe do të bëhet vlerësimi i të gjithë objektit.

Ndërsa Policia e Prokuroria s’kanë dhënë informacione mbi hetimet për rënien e pullazit.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments