Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaBQK paralajmëron se do të anulojë transaksionet e pagesave në dinarë, Lajçak:...

BQK paralajmëron se do të anulojë transaksionet e pagesave në dinarë, Lajçak: Besoj në një zgjidhje pa pasoja

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë mbrëmë që beson se Brukseli zyrtar së shpejti do të dalë me qëndrim në lidhje me paralajmërimin e Kosovës se do të anulojë transaksionet e pagesave në dinarë.

“Unë jam i njohur me këtë çështje. E ngrita këtë çështje në një bisedë me kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe i kërkova të më jepte përgjigje për disa pyetje të rëndësishme”.

Kështu ka thënë Lajçak në Davos duke u përgjigjur në pyetje të një gazetari serb në lidhje me paralajmërimin e Kosovës se do të ndalojë transaksionet e pagesave, siç ka thënë ai “me Serbinë”.

Ai ka theksuar se këtë informacion ia ka përcjellë Brukselit dhe se shërbimet tani janë duke e analizuar situatën dhe se pret që së shpejti të dalin me qëndrim zyrtar.

Lajçak po ashtu ka theksuar se nuk dëshiron të japë asnjë vlerësim dhe se beson se do të gjendet një zgjidhje që nuk do të ketë pasoja.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës dje ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.

Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.

/GazetaSinjali/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments