Ndonëse pas vetes kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka një shumicë të thjeshtë parlamentare në Kuvend dhe në anën tjetër një opozitë të fragmentuar sa u përket numrave, megjithkëtë përkundër një pozicioni kaq të rehatshëm ka sinjale se do ketë zgjedhje këtë vit dhe jo në shkurt të vitit të ardhshëm, sipas kalendarit.
Pak javë e ndajnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të hyjë në vitin e katërt të mandatit qeverisës. Ndërkohë, aleatë të afërt të tij, por edhe blloku opozitar po lënë të nënkuptojnë se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, thotë se se sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që të organizohen zgjedhje të rregullta.
“Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025”- është shprehur Kusari Lila në njëintervistë për RTK më 4 janar 2024.
Konstatimi i Kusari-Lilës duket të jetë i saktë. Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, që zgjedhjet të konsiderohen të rregullta, ato duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit të Parlamentit, e që në këtë rast i bie që ato të organizohen nga mesi i dhjetorit të 2024-tës.
“Por, para dhe pas në periudhën 60-ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit”- shton Kusari Lila.
Ndërsa, nënkryetari i LVV-së dhe njëkohësisht kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, sugjeron që të shkohet në zgjedhje edhe më shpejt, përpara se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të mbajnë zgjedhjet, përkatësisht në qershor dhe nëntor.
“Do të dëshiroja më tepër, është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme… këtë nuk e kam për Lëvizjen Vetëvendosje, e kam për Kosovën, do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimitetit” – tha ai në fund të dhjetorit në një intervistë nëKlan Kosova.
Në lidhje me këtë, Valmir Ismaili, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokraci Plus (D+), thotë se kryeparlamentari Konjufca nuk do të deklaronte një gjë të tillë publikisht nëse brenda subjektit të tij politik nuk do të kishte disponim për zgjedhje të parakohshme.
“Natyrisht që z. Konjufca nuk do të deklaronte një gjë të tillë publikisht nëse brenda subjektit të tij politik nuk do të kishte një disponim për zgjedhje të parakohshme. Pra, për arsye dhe qëllime të ndryshme, duket se ekziston një gatishmëri si nga partia në pushtet, po ashtu edhe opozita që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”- tha Ismaili për KALLXO.com.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, shtron çështjen se si do të shkohet në zgjedhje.
Sipas tij, përtej deklarimeve të opozitarëve, ende nuk është parë një nismë serioze që do ta rrëzonte Qeverinë, përderisa, siç thotë ai, dorëheqja e kryeministrit do të shihej si “shenjë dobësie dhe ikje nga përgjegjësia e një kryeministri e Qeverie që ka premtuar mrekulli, e që po përfundon në një prej qeverive më të paafta që kemi pasur”.
“Era zgjedhje ”
Aq e madhe ishte fitorja elektorale e Lëvizjes Vetëvendosjes në shkurt 2021-tës, duke siguruar 58 nga 120 vendet e Parlamentit, sa Kurti nuk pati nevojë të merrte mbështetjen e ndonjë partie tjetër shqiptare për të formuar Qeverinë. Ai thjesht u mbështet në një grusht votash nga përfaqësuesit e pakicave.
Asokohe, Kurti kishte renditur prioritetet e tij si lufta kundër korrupsionit, ekonomia, punësimi dhe arsimi. Dialogu me Serbinë doli “i gjashti apo i shtati”.
Megjithatë, mandati i tij është karakterizuar më shumë se çdo gjë nga tensionet me Serbinë dhe momentet e shkurtra të përparimit të dukshëm.
Valmir Ismaili nga “D+” thotë se nëse LVV-ja do të provokonte vetë zgjedhje të parakohshme në nivel qendror do ta bënte me kartën e dialogut.
“Nëse Lëvizja Vetëvendosje do të provokonte vetë zgjedhje të parakohshme në nivel qendror do ta bënte me kartën e dialogut, ku potencialisht fitorja në zgjedhjet e ardhshme do t’i legjitimonte asaj vendimet në procesin e dialogut”- tha Ismaili për KALLXO.com.
Mendim të përafërt ka edhe Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokalari”, i cili vlerëson se organizimi potencial i zgjedhjeve duket se do të jetë i ndërlidhur me procesin e dialogut me Serbinë, apo më saktësisht me urgjencën ose jo të zbatimit të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar.
“Nëse ka urgjencë për zbatim zgjedhjet mund të jenë mjet i zvarritjes së zbatimit. Nëse nuk ka urgjencë për zbatim atëherë trysnia përmbi Qeverinë për ta përshpejtuar themelimin e Asociacionit nuk do të jetë e madhe, rrjedhimisht nuk do të ketë shumë trysni as për të shkuar në zgjedhje”- deklaroi Ymeri në një bisedë me KALLXO.com.
Sipas Ymerit, qeverisja e Kurtit ka stagnuar gati në secilin aspekt, teksa shton se nga jo se çfarë shihet sot është “manipulim me statistika e akrobacione taktike e retorike për ta mbuluar mungesën reale të qeverisjes”.
Ai thotë se nuk mjafton vetëm një pozicionim e konstatim deklarativ i gjendjes nga ana e opozitës, por kërkohet angazhim.
“Mirëpo zgjedhjet e parakohshme nuk vijnë veç pse po i kërkon opozita. Për to duhet angazhuar e punuar që Qeveria të sillet para një situate në të cilën shkuarja në zgjedhje është rrugëdalja e vetme. Kur dikush thotë që kjo Qeveri po e shkatërron vendin, po e cenon kushtetutshmërinë e sovranitetin përmes dialogut, po e rëndon edhe më shumë gjendjen sociale të qytetarëve përmes mosveprimit karshi inflacionit, po e dëmton rëndë ekonominë përmes ndalimit të projekteve kapitale, po e rrezikon demokracinë e lirinë përmes tentimeve të njëpasnjëshme antikushtetuese për ta kapur prokurorinë e gjyqësorin, atëherë kundërshtimi i këtyre dëmeve kolosale ndaj vendit nuk mjafton të jetë veç një pozicionim e konstatim deklarativ i gjendjes, por angazhim në mbrojtje të interesit të qytetarit dhe demokracisë e lirisë së Republikës”- shprehet Ymeri.
Ndërsa, Ismaili thotë se gjithmonë është në interes të opozitës që vendi të mbajë zgjedhje të shpeshta deri sa e njëjta të vijë në pushtet teksa shton se për shkak të dallimit të madh të rezultatit në zgjedhjet e fundit, për herë të parë opozita nuk ka nxituar në kërkim të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
“Vetëm në pjesën e dytë të vitit 2023 kanë filluar të shpeshtohen zërat e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Natyrisht që performanca jo e mirë e Qeverisë pothuajse në të gjitha sferat e qeverisjes i ka dhënë zemër partive opozitare që të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, siç janë rezultatet e dobëta në arsim, politikë të jashtme, shëndetësi, prokurim publik, etj.”- shpjegon ai.
Sipas Ismailit, mbajtja e zgjedhjeve qendrore dhe lokale në të njëjtin vit nuk i shkon për shtati pothuajse asnjë akteri të përfshirë në proces, përfshirë partitë politike, KQZ-së si dhe vetë qytetarëve, të cilët, siç shprehet ai, do të ndjeheshin të lodhur nga mbajtja e disa palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë.
Ndryshe mendon Ymeri, i cili thotë se edhe po të mbaheshin zgjedhjet qendrore në afatin kushtetues prapë do të jetë një distancë prej afërsisht 8 muajsh deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Se a do ketë zgjedhje të parakohshme sivjet, Ymeri thotë se arsyet se përse dhe mënyra se si do shkohet në zgjedhje do të ketë rëndësi për opozitën dhe sipas tij, do të jetë jetike të projektojë forcë politike në rrugën drejt zgjedhjeve dhe qartësi programore e kredibilitet partiak e të liderit për ta sfiduar pushtetin.
“Ndërkohë që mungesa e rezultateve sado të vogla në qeverisje e vendos partinë në pushtet në një pozitë jo fort komode në raport me elektoratin. Mirëpo nëse ky elektorat nuk sheh asnjë alternativë atëherë do të qëndrojë me partinë në pushtet si e keqja më e vogël. Është tejet e rëndësishme që demokracia e Kosovës të lëvizë drejt kërkimit të një tjetër llogaridhënie prej asaj në të cilën jemi futur viteve të fundit. Nuk duhet të votojmë për të keqen më të vogël por për atë që e konsiderojmë të mirë. Nuk duhet votuar si rrjedhojë e frikës se si mund të jemi më keq, por si vullnet dhe vendosmëri se e duam një Kosovë më të mirë”- thekson Ymeri.
“Definitivisht nuk duhet votuar për ata që flasin vetëm për të kaluar, por duhet të insistojmë që domosdoshmërisht partitë politike të na tregojnë se çka do të bëjnë në të ardhmen. Dhe duhet ndëshkuar të gjithë ata që kanë premtuar gjëra për të cilat as që janë angazhuar në qeverisje e lëre më t’i zbatojnë ato”- thekson ai.
Kurse, Ismaili nga “D+” tregon se pritet një betejë e ashpër midis të dy taborëve, marrë parasysh rrethanat.
“Duke i pasur parasysh rrethanat aktuale pritet një betejë e ashpër midis të dy taboreve me ç’rast partia në pushtet do të mundohet ta ofrojë si sukses performancën e saj në dialog dhe në luftën kundër korrupsionit, përderisa partitë opozitare do të mundohen të godasin partinë në pushtet pikërisht në dështimet në dialog, politikën e jashtme dhe në sferat e tjera të qeverisjes së brendshme”- thotë ai.
Drejtori i “D+” gjithashtu shton se edhe legjislacioni për zgjedhje ka ndryshuar në mënyrë thelbësore, teksa thekson se qytetarëve u duhet një fushatë vetëdijesimi për të kuptuar mirë ndryshimet që kanë ndodhur në legjislacionin zgjedhor.
Çka thotë opozita?
Një pjesë e opozitës thotë se nuk i frikësohet zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht nga sondazhet që tregojnë për një tjetër fitore të LVV-së. Nga opozita deklarojnë se sa më shpejt që të shkohet në zgjedhje aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një video-adresimi deklaroi se viti 2024 është vit zgjedhor, për shkak se edhe për zgjedhjet e rregullta ato duhet të shpallen më së shumti gjashtë muaj e më së paku katër muaj para zgjedhjeve dhe se sipas tij, kjo nënkupton që partitë politike do të punojnë për përpilimin e listave dhe zgjedhjeve.
“Problem nuk është përcaktimi i zgjedhjeve të parakohshme apo të rregullta. Problem është që kjo Qeveri është duke i shkaktuar dëme të mëdha Kosovës dhe është duke e dëmtuar e rrafshin e brendshëm. Në veçanti, në varfërimin dhe në ekonominë e Kosovës, e cila është në rrafshin më të ulët në historinë e vet. Andaj, sa më shpejt që shkon kjo Qeveri, aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe për qytetarët e saj”- ka deklaruar Tahiri.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri konsideron se do ishte mirë që këtë vit të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi sipas tij, Qeveria është treguar e pasuksesshme ndaj shumë problemeve.
“Ju e dini që ne si grup parlamentar nga qershori i vitit kaluar kemi hyrë në një proces të ri që po i kërkojmë zgjedhjet e jashtëzakonshme, kërkojmë ndërprerjen e mandatit të kësaj Qeverie për shkak të shumë problemeve dhe ballafaqimeve që kjo Qeveri është treguar e pasuksesshme. Konsiderojmë që ajo që do ishte më e mira që do të ndodhte gjatë 2024-tës, do ishte që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”- ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën.
“Partia Demokratike e Kosovës, nuk flas për opozitën, jemi jashtëzakonisht të gatshëm dhe jemi të bindur që këto zgjedhje kurdo që do të mbahen, Lëvizja Vetëvendosje më nuk do të arrijë të krijojë Qeverinë dhe Qeverinë do ta krijojë opozita”- ka shtuar ai.
Kurse, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se Qeverisë së Kosovës në pushtet po i afrohet fundi.
“Kemi hyrë në vitin e fundit të qeverisjes së Kurtit. Maksimumi i mundshëm deri kur mund të jetë në pushtet Kurti do të jetë tash një vit, por zgjedhjet sipas Ligjit maksimalisht do të duhet të shpalleshin në fund të shtatorit këtë vit dhe të mbahen diku në fillim të janarit ose shkurt të 2025-tës. Situata politike apo gjendja politike në vend janë pastaj çështje të jashtëzakonshme për të cilat do të japim përgjigje në kohën e duhur, gjithses ne jemi, tashmë ka filluar numërimi mbrapsht pra, po i afrohemi fundit të kësaj qeverisjeje dhe po i afrohemi momentit kur u themi qytetarëve dhe kërkojmë përkrahjen e tyre”- deklaroi Gashi para gazetarëve.
Nata e 14 shkurtit 2021 nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera. Pak ditë më vonë, pas numërimit të të gjitha votave, u konfirmua ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë; një parti politike, e vetme kishte marrë mbi 50% të votave.
Ky rezultat i mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijonte e vetme kabinetin e ardhshëm qeveritar. Në bazë të rezultateve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë besimin e 50.28% të qytetarëve që kishin dalë në zgjedhje.
Certifikimin e rezultatit mbi 50% Kurti e kishte quajtur “shans të madh për Kosovën”.
“Certifikimi i rezultateve u bë sot. Fitoi referendumi, fituam në referendum: 50,28%. Ditë e mirë për Republikën. Shans i madh për Kosovën”- kishte shkruar Kurti.
Rezultatet i siguruan Vetëvendosjes 58 deputetë, PDK-së 19, LDK-së 15, Listës Serbe 10 dhe AAK-së 8.
Qeveria Kurti 2 u jetësua më 22 mars të vitit 2021.
Deputetët e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kishin votuar për Qeverinë e re të vendit, duke e kthyer Albin Kurtin edhe një herë në krye të Qeverisë.
Mandati i parë i Kurtit si kryeministër zgjati shkurt, meqë partneri i koalicionit inicioi mocion mosbesimi duke e rrëzuar më 23 mars Qeverinë Kurti 1.