Berlini është shndërruar të hënën në qendrën e protestave të fermerëve nga mbarë Gjermania kundër planit të qeverisë Scholz, për të shkurtuar paketat e subvencionimeve për naftën.
Pasi prej disa ditësh kanë shprehur revoltën e tyre duke bllokuar hyrjet e autostradave dhe ngadalësuar trafikun në të gjithë Gjermaninë, 10.000 fermerë, me mjetet e tyre bujqësore e nisën javën duke bllokuar simbolin e kryeqytetit, “Portën e Brandenburgut”.
“Mijëra fermerë po mbushin rrugët e kryeqytetit gjerman për të protestuar kundër reduktimit të subvencioneve bujqësore, një fakt që shumë shpejt mund të rëndojë publikun konsumator”, raporton gazeta “Bild”.
Sipas gazetës “Bild”, 1300 policë janë vendosur në rrugët e kryeqytetit duke mbikëqyrur demonstratën e fermerëve.
Grumbullimi i sotëm i fermerëve në Berlin është kulmi i mobilizimeve që nisën një muaj më parë me kërkesën bazë për tërheqjen e vendimit të qeverisë për shkurtimin e subvencioneve të naftës për bujqësinë.
“Më shumë se 5000 automjete erdhën sot në kryeqytet për këtë qëllim”, tha një zëdhënës i policisë, duke shtuar se është ende herët për të dhënë informacion më të saktë për numrin e pjesëmarrësve në demonstratë.
Kërkesat e fermerëve mbeten të qarta: vazhdimi i plotë i subvencionimit për naftën, të cilin ata e konsiderojnë vendimtar për sektorin prodhues, por edhe mbështetje më e gjerë për sektorin e bujqësisë, i cili vitet e fundit është prekur fuqishëm nga konkurrenca e pandershme nga jashtë dhe pasojat më të gjera të luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike.
Fermerët gjermanë ndihen të lënë pas dore nga politika qendrore e Gjermanisë, pavarësisht garancive për të kundërtën nga ministri përgjegjës i Bujqësisë, Cem Ozdemir.
Ozdemir i cili vjen nga Partia e Gjelbër shpreh solidaritetin me fermerët veçanërisht për produktet shtazore.
Nga ana e tij, kancelari socialdemokrat i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili është kritikuar ashpër pasi nuk është takuar ende me fermerët, ka ende pak shpresë për lëshime të mëtejshme. Në videomesazhin e tij javor, ai tha se propozimi i qeverisë ishte një kompromis i mirë dhe se subvencionet nuk mund të ofrohen në pafundësi.
Ndërkohë, kryetari i “Sindikatës së Fermerëve Gjerman”, Joachim Ruckvid, shprehu mbrëmë besimin se “70% e qytetarëve mbështesin demonstratat”.
“Vetëm nëse politikanët tërhiqen, mund të parandalohen protestat e reja“, paralajmëroi Rookvid. /A2CNN