Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me aprovimin e kërkesës së Kosovës për blerje të armatimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, aprovim ky që nevojitet të marrë edhe miratimin në Kongresin Amerikan.
Osmani ka thënë se kjo ngjarje shënon një moment historik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe është një dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Një moment historik për sigurinë tonë kombëtare dhe një dëshmi e partneritetit tonë të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar shefja e shtetit.
Presidentja ka deklaruar se tashmë Kosova po futet në një fazë vendimtare të Kapaciteteve Kombëtare Mbrojtëse, duke zhvllilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standarteve të NATO-s dhe duke thelluar edhe më tej raportin me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Osmani ka treguar se është biseduar me Sekretarin Blinken për çështjen e shitjes së armëve qysh në vitin 2022 dhe thotë se ka besim se Kongresi do ta miratojë shitjen e armatimit për vendin më pro-amerikan në botë.
“Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS”, ka shkruar Presidentja Osmani./Express/