Një ndërtesë 13-katëshe në Gaza u shemb të martën pasi u godit nga raketat izraelite, thanë dëshmitarët e kësaj ngjarjeje.
Në videot e publikuara në internet shihet se si ndërtesa shembet për pak sekonda pas goditjes. Raportohet se në këtë ndërtesë ndodhej zyra që përdorej nga liderët e Hamasit, shkruan Times Live
Pas goditjes së ndërtesës nga raketa, energjia elektrike përreth saj u ndal. Banorët përdornin bateri dore për të kërkuar për gjërat e tyre në vendin përreth shembjes.
Dëshmitarët thanë se banorët e ndërtesës dhe të tjerët që jetonin afër saj ishin paralajmëruar rreth një orë para sulmit që të largohen prej saj. Nuk është e qartë nëse ka pasur njerëz brenda në kohën e sulmit ose nëse është shkaktuar ndonjë viktimë nga shembja e ndërtesës.
Izraeli dërgoi 80 aeroplanë luftarakë të martën për ta bombarduar Gazën dhe grumbulloi tanke në kufi. Ndërkohë raketat e Hamasit dhe grupeve tjera islamike i goditën qytezat izraelite për të dytën ditë me radhë.