Më 25 dhjetor 2023, Qeveria e Serbisë vendosi të lejonte makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj, vendim ky që nisi të zbatohej më 1 janar 2024, gjersa edhe Qeveria e Kosovës më 4 janar vendosi që të heqë regjimin e letrave ngjitëse për makinat me targa të Serbisë.
Në rast të ndonjë aksidenti në trafik mënyra e raportimit të dëmit ku përfshihen automjetet me targa RKS dhe SRB në Kosovë e Serbi, parashikohet në një dokument që është nënshkruar në vitin 2013.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 23 qershor 2013 nga Byroja e Sigurimit në Kosovë dhe Shoqatës së Sigurimeve të Serbisë bëhen të ditura rregullat e mbulimit të dëmeve të shkaktuara nga aksidentet e automjeteve nga juridiksioni i njëra tjetrës.
Nga Byroja e Sigurimit në Kosovë kanë bërë të ditur për Telegrafin se bazuar në këtë marrëveshje ofrohet njohje reciproke dhe pranimi i TPL valide (policës së sigurimit).
Po ashtu në këtë marrëveshje thuhet se bëhet edhe procesimi dhe pagesa e dëmeve si pasojë e aksidenteve të shkaktuara nga automjetet me mbulim të vlefshëm sigurues në juridiksionin e secilës palë.
Po ashtu në këtë marrëveshje bëhet e ditur se: “Dëmi i shkaktuar nga përdorimi i mjeteve motorike pa sigurim të vlefshëm në juridiksionin e palës tjetër do të rimbursohet nga fondet garantuese të palës ku ka ndodhur aksidenti. Në qoftë se njëra nga palët nuk ofron verifikimin elektronik të përmendur më lart, ajo palë duhet të garantojë rimbursimin e kërkesave që dalin nga aksidentet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara nga juridiksioni i saj”.
Sipas marrëveshjes shuma e detyrueshme minimale e sigurimit për kontraktimin e sigurimit të auto përgjegjësisë është:
2.1 për dëme në persona, për rast të siguruar, pavarësisht nga numri i personave të dëmtuar një milion euro
2.3 për dëme të shkaktuara nga përdorimi i autobusit dhe mjeteve motorike të destinuara për transportin e lendeve të rrezikshme, zbatohet dyfishi i shumave minimale të sigurimit të përcaktuara në nën-paragrafët 2.1. dhe 2.2. të këtij paragrafi.