Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se po manipulon me përqindje kur po prezanton “të arriturat e Qeverisë”.
Ajo tha se përqindja po përdorët për të “fshehur dështimet” dhe kritikoi për mënyrën e shpenzimit të buxhetit.
“A e di Hekurani se paaftësia për ta shpenzuar një buxhet të planifikuar nuk është arritje me të cilën mund të mburresh por cilësohet si dështim, mungesë vizioni dhe simptomë e keqmenaxhimit?”, ka shkruar Bajrami derisa ka shpërndarë edhe postimin e Muratit ku ka paraqitur këto shifra.
“Hekurani paska provuar me krenari të na tregojë se subvencionet dhe transferet në vitin 2023 janë rritur për vetëm 1%, por shuma absolute na tregon diçka tjetër. Derisa ne vitin 2022 kjo qeveri ka shpenzuar 1 miliardë e 65 milionë Euro për subvencione dhe transfere, apo 40% të totalit buxhetor, këtë vit për subvencione dhe transfere paskan shpenzuar 1 miliard e 75 milionë Euro, apo 36% të buxhetit. E vlefshme për t’u theksuar se në të njëjtën kohë që kjo qeveri shpenzon gati gjysmën e buxhetit në subvencione, varfëria në vendin tonë është në rritje sipas UNDP-së. Me të vërtetë arritje për t’u krenuar”, shtoi Bajrami.
Postimi i plotë:
Kur postohen përqindjet për të fshehur dështimet
Hekuran Murati paska manipuluar sërish me numrat në formë të përqindjeve. Për të, interpretimi i shifrave faktike në vend se ta tregojë gjendjen reale bëhet instrument për të manipuluar syrin e militantit, ndërsa realiteti shihet qartë për ata që duan të shohin. Në fakt, kushdo që jeton në Kosovë e di se zhvillimi infrastrukturor i shtetit është lënë në harresë nga një qeveri e cila po e përfundon mandatin 4 vjeçar vetëm me përurimin e urës së vogël të Staradranit dhe me ndërtimin e katër çerdheve nga 160 të premtuara.
Hekuran Murati paska thënë se shpenzimet buxhetore për vitin 2023 janë rritur me 13% në krahasim me një vit me herët, por do të ishte më fer të tregohej se këto shpenzime, duke e përfshirë edhe lëmoshën e shpërndarë në fund të vitit, arrijnë shumën totale prej 2.966 miliardë euro, apo saktësisht 342 milionë euro me pak se buxheti i planifikuar (3,238 mld euro).
Në vijim, ai paska thënë se shpenzimet kapitale na qenkan rritur për 32% në krahasim me vitin 2022 dhe, nëse kjo është e saktë, i bie që në total janë shpenzuar 557 milionë euro apo 262 milionë euro me pak se buxheti i planifikuar (819 mil.euro).
A e din Hekurani se paaftësia për ta shpenzuar një buxhet të planifikuar nuk është arritje me të cilën mund të mburresh por cilësohet si dështim, mungesë vizioni dhe simptomë e keqmenaxhimit?
Shpenzimet për paga dhe shtesa qenkan rritur për 111 milionë euro dhe sipas tij, pagat në sektorin publik qenkan rritur për 17%. Por mesatarja këtu sërish nuk e tregon realitetin sepse derisa Hekuranit i është rritur paga për 450 euro vitin e kaluar, ka kategori të tjera që kanë pasur ulje të pagës, dhe ka të tillë të cilëve paga nuk u ka lëvizur prej vitit 2016. Andaj është mirë që Hekurani ta dijë se kur ai han dardha nuk do të thotë se të tjerëve ju pihen dhëmbët.
Ndërsa për mallra dhe shërbime paska thënë se gjithashtu ka rritje për 17%, por paska thënë se 17% e 337 milionëve është me pak se 17% e 653 milionëve. Këtë vetëm gjenitë në qeverinë Kurti dinë ta deshifrojnë. Pra, për mallra dhe shërbime në vitin që lamë pas janë shpenzuar 394 milionë Euro dhe kjo rritje ka shkuar kryesisht në luksin e qeveritarëve sepse spitalet i kemi pasur pa barna e policët pa pajisje gjatë tërë vitit.
E si qershi mbi tortë, Hekurani paska provuar me krenari të na tregojë se subvencionet dhe transferet në vitin 2023 janë rritur për vetëm 1%, por shuma absolute na tregon diçka tjetër. Derisa ne vitin 2022 kjo qeveri ka shpenzuar 1 milardë e 65 milionë Euro për subvencione dhe transfere, apo 40% të totalit buxhetor, këtë vit për subvencione dhe transfere paskan shpenzuar 1 miliard e 75 milionë Euro, apo 36% të buxhetit. E vlefshme për t’u theksuar se në të njëjtën kohë që kjo qeveri shpenzon gati gjysmën e buxhetit në subvencione, varfëria në vendin tonë është në rritje sipas UNDP-së. Me të vërtetë arritje për t’u krenuar.
E çudia më e madhe në shifrat e Hekuranit është kjo: Qeveria Kurti II për nëntë muaj të vitit 2023 ka shpenzuar 263 milionë euro, ndërsa vetëm në tremujorin e fundit janë shpenzuar 294 milionë euro.
Si ka mundësi?
Nëse duam t’i biem shkurt dhe t’i injorojmë absurditetet si kjo më lart, shifrat me të cilat po mburret Hekuran Murati në fakt vetëm se e tregojnë më se miri mospunën e kësaj qeverie. Mos të harrojme se jemi me 9 janar 2024, ndërsa qeveria Kurti II e ka marrë mandatin me 22 mars të vitit 2021.