Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua sot me liderin e Turqisë para takimit me liderin e Greqisë, në një turne njëjavor për të qetësuar tensionet që janë rritur në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas.
Kryediplomati i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden u takua sot në Stamboll me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, kritik i ashpër i veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza.
Zyrtarët amerikanë janë të hidhëruar me procesin e gjatë, por kanë besim se Ankaraja së shpejti do të miratojë pranimin e Suedisë në NATO.
Ligjvënësit amerikanë kanë vonuar shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16 në Turqi derisa ajo të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në aleancën më të fuqishme ushtarake, raporton aa.
Suedia, së bashku me Finlandën, aplikuan për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022. Me anëtarësimin në NATO, ajo do të bëhej anëtari i 32-të i asaj aleance. Finlanda u bashkua vitin e kaluar.
Turneu i Blinkenit do të përfshijë shtetet arabe, Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, ku ai do të thotë se Uashingtoni nuk dëshiron një përshkallëzim rajonal të konfliktit në Gaza.
Zyrtari amerikan tha se Turqia ka marrëdhënie me shumë palë në konflikt, duke iu referuar lidhjeve të saj me armiqtë e SHBA-së, Iranin dhe Hamasin. Ndryshe nga SHBA, Turqia nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste.
Ndryshe, lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe rrëmbyer 240.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit la të vdekur 22,700 palestinezë, thonë zyrtarët palestinezë ndërsa konflikti është përhapur në Bregun Perëndimor, Liban dhe rrugët ujore të Detit të Kuq.