Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka thënë se shteti i tij është përkrah Kosovës dhe se është e interesuar që paqja të mbizotërojë në tërë Ballkanin Perëndimor. Ish-kryeministri britanez, premtoi ndihmë edhe për njohje të reja, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me homologen tij kosovare, Cameron ka përmendur numrin e lartë të trupave britaneze në kuadër të KFOR-it.
Ish-kryeministri britanik tha se ata vazhdojnë të mbeten mbështetës të mëdhenj të Kosovës, dhe që periudha aktuale në botë që po karakterizohet me konflikte të mëdha bën që Britania të jetë sa më përkrahëse ndaj miqve të saj.
“Ne jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, të sovranitetit të Kosovës, dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët. Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar”, u shpreh ai.“Mendoj që diskutimet që i patëm e rrokin një strukturë më të përgjithshme pasi siç shohim nëpër lajme sot, jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë në dhe të punojmë për së afërmi në aleancat tona. Pra ajo që po e bëjmë në Kosovë është pjesë e një strukture më të gjerë”.