I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në javën e fundit të dhjetorit ka bërë të ditur afatin e qartë kohor për formalizmin e marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë.
Lajçak është shprehur se shtetet anëtare të unionit, e kanë ngarkuar bllokun evropian që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024.
“Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e Marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë”, pati thënë ai në një intervistë për Express.
Emisari evropian më tej është shprehur se janë të gatshëm të bëjnë rregullimet e arsyetuara dhe të japin sqarime për draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që u propozua së fundi nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajçak e ka lënë të hapur mundësinë për ndryshimin e këtij dokumenti, duke thënë se kjo mund të bëhet veçanërisht për ta përmirësuar lexueshmërinë e tekstit dhe për ta bërë atë më të kuptueshëm.
“E kuptojmë rëndësinë e qartësisë së plotë në lidhje me këtë dokument dhe kemi kënaqësinë t’i përgjigjemi secilës pyetje që lidhet me të. Në të njëjtën kohë, jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të arsyetuara dhe sqarime, veçanërisht për ta përmirësuar lexueshmërinë e tekstit dhe për ta bërë më të kuptueshëm”, ka thënë emisari evropian.