Dje janë bërë një muaj që nga vrasja e Liridona Ademajt.
E sonte, vëllai i saj Leonard Ademaj përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar mediat, shoqërinë civile, hetuesit, prokurorët, siç tha ai, që janë duke kontribuar në informim dhe në zbardhjen e rastit.
Ai gjithashtu u shpreh se do të vazhdojnë të punojë në zbardhjen e drejtësisë për Liridonën.
“Ka kaluar një muaj që kur se është vrarë Liridona jonë. Kishim shumë plane bashkë. Këto ditë i gjetem në shtëpi ballonat që i pati ble me ia festu djalit ditëlindjen. Do t’i ruajmë ashtu siç e ruajmë çdo kujtim. Viti 2023 do të mbetet për ne vit i kobshëm që na e mori Liridonën dhe vetëm shpresa për drejtësi po na mban gjallë”.
“Duam t’i falenderojmë të gjithë mediat, shoqërinë civile, hetuesit, prokurorët që janë duke kontribuar në informim dhe në zbardhjen e këtij krimi. Ka pasur raste kur jemi lënduar rëndë nga diskutimet dhe raportimet që janë bërë rreth rastit, me informacione të pasakta. Ne shpresojmë që rastet e Liridonës dhe grave tjera të vrara të trajtohen me ndjeshmëri dhe kujdes më të madh. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për drejtësi për Liridonën”, ka shkruar ai.