Popullsia e botës u rrit me 75 milionë banorë gjatë vitit 2023 dhe në ditën e parë të vitit 2024 bota do të ketë mbi 8 miliardë banorë, sipas shifrave të publikuara nga agjencia amerikane e statistikave të enjten.
Ritmi i rritjes së popullsisë së botës në vitin 2023 ishte pak më pak se 1 për qind. Në fillim të vitit 2024, në botë do të ketë 4.3 lindje dhe 2 vdekje në sekondë, thotë byroja amerikane e popullsisë.
Nëse ritmi aktual vazhdon deri në fund të dekadës, kjo do të jetë dekada me rritjen më të ngadaltë të popullsisë në histori për Shtetet e Bashkuara, duke sjellë një rritje prej më pak se 4 për qind të popullsisë së vendit nga viti 2020 deri në vitin 2030, thotë William Frey, ekspert i demografisë në Institutin Brookings.
Dekada me nivelin më të ulët të rritjes së popullsisë në Shtetet e Bashkuara ishte gjatë viteve 1930, kur vendi po përballej me rënien e madhe ekonomike dhe në atë dekadë popullsia u rrit me 7.3 për qind.
“Natyrisht rritja mund të intensifikohet në vitet pas pandemisë. Por, do të jetë shumë e vështirë që popullsia e vendit të rritet me nivelin 7.3 për qind”, thotë zoti Frey.
Në fillim të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara pritet të kenë një lindje në 9 sekonda dhe një vdekje në 9.5 sekonda. Megjithatë, imigracioni do të frenojë rënien e popullsisë së vendit. Imigracioni pritet të shtojë popullsinë e Shteteve të Bashkuara me një person në 28.3 sekonda. Ky kombinim i lindjeve, vdekjeve të imigracionit do të rrisë popullsinë e Shteteve të Bashkuara me një banor në 24.2 sekonda.