Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeOsmani: Ishin të përgatitura masa tepër të rrepta ndaj Kosovës dhe individëve,...

Osmani: Ishin të përgatitura masa tepër të rrepta ndaj Kosovës dhe individëve, punova ditë e natë për t’i parandaluar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten mbrëma ka ndarë informacione të reja sa i përket rastit të sulmit në Banjskë dhe hetimeve që po bëhen dhe gjithashtu edhe për masat dhe sanksionet që kanë qenë të planifikuara t’i vendosen Kosovës dhe individëve në vend, përtej masave të vendosura nga Bashkimi Evropian. Osmani ka thënë se ka punuar ditë e natë që Kosova të mos goditej edhe më fuqishëm nga sanksionet. Shefja e shtetit ka folur edhe për qeverisjen Kurti, Asociacionin dhe tema të tjera.

Alarmet për sulme të reja nga Serbia si rritje e gatishmërisë dhe përpjekje për parandalim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për RTV 21ka folur për paralajmërimet e shumta se Serbia po përgatit sulme të reja kundër Kosovës. Osmani ka thënë se ato s’janë paralajmërime për luftë, por tërheqje e vëmendjes për të gjithë, përfshirë edhe aleatët për të qenë në nivel të gatishmërisë.

“Paralajmërimet tona kanë për qëllim që të rrisin nivelin e gatishmërisë, jo vetëm tonat, por edhe të aleatëve tanë”, ka thënë Osmani duke përmendur edhe krizat e shumta nëpër botë.

Shefja e shtetit ka thënë se s’po paralajmërojnë luftë por po tregojnë se çfarë dëshiron Serbia të bëjë dhe për të ngritur alarmin tek shtetet partnere për të ndihmuar Kosovën në parandalim.

“Çështja është tek preventiva”, ka thënë presidentja Osmani.

Tutje në këtë intervistë teksa ka folur për sigurinë, Presidentja ka thënë se në bisedat që ka pasur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe zyrtarëve të tjerë të sigurisë, kanë folur edhe për përkrahje në drejtim të “sigurimit më permanent” të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Që të mos ketë rritje të prezencës pasi të ndodh diçka, por më shumë si mjet preventiv, si masë parandaluese në rast të ndonjë sulm potencial nga ana e Serbisë”, ka thënë ajo.

Marrëveshja Thaçi-NATO për dërgimin e FSK-së në Veri

Presidentja Vjosa Osmani teksa ka folur për rritjen e sigurisë në Veri, përkatësisht në kufi me Serbinë, ka përmendur edhe marrëveshjen që ish-kryeministri Hashim Thaçi ka nënshkruar me NATO-n për çështjen e dërgimit të Ushtrisë së Kosovës në Veri të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se ajo marrëveshje nuk ia ndalon FSK-së që të shkojë në Veri, por thjesht është një procedurë, të cilën Osmani thotë se Kosova e ka respektuar.

Tutje shefja e shtetit ka thënë se marrëveshja Thaçi-NATO është arritur duke pasur parasysh paqen, megjithatë thotë se në rast të ndonjë konflikti, mandati i FSK-së është shumë i qartë, i mbështetur edhe në Kushtetutë dhe që askush s’mund t’ia ndalojë.

Osmani: Ka shtete që kanë finalizuar hetime për sulmin e 24 shtatorit, Vuçiq ka dhënë urdhrin

Teksa ka folur për reagimin e Perëndimit ndaj Serbisë për shkak të sulmit të 24 shtatorit, ka thënë se disa shtete aleate kanë përfunduar hetimet në të cilat dëshmohet përfshirja direkte e institucioneve më të lartë të Serbisë.

“Për disa prej tyre dihet, sepse ka video incizimi. S’mund të ketë trajnime në baza ushtarake të Serbisë dhe transferim të armëve nga këto baza tek terroristët pa e ditur Ministri a Mbrojtjes së Serbisë. Kjo ka ndodhur patjetër me urdhrin e institucioneve shtetërore. Urdhri ka ardhur nga vetë presidenti Vuçiq. Absolutisht, kjo është e dëshmuar. Aleatët na kanë thënë të presim edhe pak sepse secili prej tyre i kanë procedurat e tyre të brendshme se kur i bëjnë të ditura rezultat e hetimeve. S’e përjashtoj që shumë shpejt mund të dalin rezultate të tilla”, ka thënë Osmani.

Kritika për Qeverinë Kurti për punën e financave

Shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, në këtë intervistë për RTV 21 është pyetur edhe për punën e kërkesave të pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës. Ajo ka thënë se Presidenca e Kosovës s’është adresa e duhur për ta shtruar një pyetje të tillë meqë s’merret me hartime e planifikime buxhetore.

Ajo ka thënë se për këtë çështje ka mbajtur qëndrim publik, edhe në takime me Sindikatën dhe Drejtorin e Policisë, që kërkesat e tyre të adresohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Megjithatë Osmani thotë se jo gjithmonë edhe kërkesat e Presidencës përkrahen nga institucionet financiare.

“Për fat të keq. Ata i bëjnë vlerësimet e tyre në të cilët ne si Presidencës shpesh herë nuk pajtohemi”, ka thënë Osmani duke pohuar se ka adresuar një pakënaqësi të tillë.

“E kam thënë edhe në fjalim timin që e kuptoj se kuleta e shtetit nuk është aq e madhe sa janë nevojat e të gjithë qytetarëve. Mirëpo si çdo shtëpi që nuk e ka kuletën e madhe, vendosen prioritete. Pra cili është prioriteti ynë për momentin. Siguria është prioriteti ynë shtetëror, meqë nëse s’ke siguri dhe të mbrojtur nga Serbia s’mund të kemi sukses në fushat tjera”, ka thënë presidentja Osmani.

Pas sigurisë, Osmani ka përmendur edhe shëndetësinë si një prej sektorëve më të rëndësishëm për vendin. Ajo ka thënë se investimet në sektorë strategjikë s’mund të shikohen vetëm në aspektin e numrave.

“Po na ikin mjekët dhe specialistët. S’mund të lejojmë që sistemi ynë shëndetësor të kolapsojë. Ka shumë nevojë që ata njerëz të ndihen të vlerësuar aq sa duhet. Dhe nga një herë kur na duket nga aspekti financiar e kontabilitetit e numrave, duket që po i jep dikujt më shumë se sa që ekonomistë mendojnë, s’mund të shikohet kjo vetëm nga prizmi i numrave”, ka thënë Osmani.

Osmani: Duhet zgjidhen momentet kur duhet treguar kokëfortë përballë aleatëve

Osmani është pyetur edhe për çështjen e masave që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës si pasojë e padëgjueshmërisë për veprimet në Veri të vendit.

Ajo ka thënë se kokëfortësia nganjëherë është e shëndetshme, por potencon se duhet të zgjidhen momentet dhe betejat kur ajo duhet të përdoret.

“Tani kokëfortësia nganjëherë është e shëndetshme, sepse interesat e Kosovës duhet të mbrohen me kokëfortësi, por duhet të zgjidhet edhe momenti i duhur kur një kokëfortësi e tillë përdoret. Duhet të përzgjidhen edhe betejat. Në rast se ndonjëherë ndokush kërkon ndryshim kufijsh apo ndarje të Kosovës ose të defunksionalizohet, ne duhet me kokëfortësi ta mbrojmë të drejtën tonë ta mbajmë Kosovën shtet funksional, sovran dhe në përputhje me Kushtetutën, pavarësisht se kush ulet në karrigen tjetër”, ka potencuar Osmani.

Megjithatë Osmani thotë se është kundër asaj që të tregohemi më të fortë sesa që jemi.

Osmani: Kam parandaluar masa edhe më të rrepta që ishin planifikuar nga aleatët kundër Kosovës dhe individëve

Presidentja Vjosa Osmani ka folur edhe për qëndrimin e mbajtur nga institucionet e Kosovës sa i përket kërkesave të aleatëve për tërheqjen e kryetarëve të komunave veriore. Osmani ka thënë se ajo vetë si presidente s’ka qenë e përfshirë në këtë dhe asaj si shefe e shtetit nuk i është kërkuar një gjë e tillë.

“Edhe pasi ka ndodhur ajo më 26 maj, unë kam insistuar ta gjejmë një rrugë përpara, që merr për bazë sigurinë afatgjate të vendit tonë. Dhe kjo mund të arrihet në rrethanat në të cilat jemi vetëm duke bashkëpunuar me aleatët. Kam insistuar që ta gjejmë një rrugë të përbashkët dhe gjuhë të përbashkët dhe të dalim nga situata e krijuar. Tani ajo u arritë pas një kohe, për fat të keq me vonesë dhe për fat të keq pasi Kosovës iu vendosën masat e BE-së. Të cilat sado që janë vendosur si kundërpërgjigje të mos koordinimit të atij veprimi që ka ndodhur më 26 maj, prap se prapë vlerësoj që kanë qenë tërësisht jopropocionale. Sepse ta zëmë edhe nëse ka qenë gabim, ju e dini që i vendim ka qenë në përputhje me Kushtetutën etj, por siç e thash, çështjet e sigurisë duhet të trajtohen me partnerët tanë. Kosova s’e ka pushtuar askënd që të meritoj masa të tilla në nivel të BE-së”, ka thënë Osmani.

Shefja e shtetit ka thënë se ka punuar ditë e natë për të parandaluar edhe masa ekstremisht më të ashpëra që ishin planifikuar nga partnerët, edhe kundër Kosovës por edhe kundër individëve.

“Si presidente jam angazhuar nga ajo ditë që të parandalojë shumë masa më të rrepta. Partnerët tanë i dinë këto gjëra shumë mirë, se çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda i kemi bërë çdo ditë dhe çdo natë, sepse ajo ka qenë periudhë e vazhdueshme. Çdo ditë 24 orë kam punuar me partnerët në të gjitha kontinentet në mënyrë që të parandalohen masa shumë më të ashpëra, edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve. S’po flas për askënd si individ, po flas për përpjekjet e mia si presidente dhe të shumë miqve tanë. Kemi punuar me ambasador këtu në Kosovë, me DASH, me krerët e shteteve të BE-së,  krerët e institucioneve të BE-së me të cilët kam raporte të shkëlqyera. Telefonata të panumërta, kontakte të panumërta me ta, ditë dhe natë, në mënyrë që të parandalohen masa shumë shumë më të ashpëra në raport me Kosovën dhe këtë e kemi arritur”, ka potencuar presidentja.

Tutje në këtë intervistë, Osmani ka thënë se ka biseduar me Josep Borell të cilit i ka kërkuar që ta hartojë një “udhërrëfyes” dhe t’ia paraqes Kosovës për atë se si mund të hiqen masat. Osmani ka thënë se Borell e ka mirëpritur një gjë të tillë dhe ka thënë se do të mundohet të bëjë presion pozitiv që diçka e tillë të ndodh sa më parë.

Osmani: Jam e pakënaqur që në marrëveshje s’u përfshi njohja reciproke

Presidentja Vjosa Osmani duke folur për marrëveshjen e Ohrit ka thënë se është e pakënaqur që aty s’është përfshirë njohja reciproke. Megjithatë thotë se Ohri në përmbajtje ka disa gjëra të rëndësishme.

Përmbajtja e asaj marrëveshje, thotë Osmani, nuk është rezultat i negociatave që ka bërë Kosova, por si rezultat i zhvillimeve gjeo-politike. Ajo ka thënë se në takimet që ka pasur me Scholz dhe Macron, ka qenë qëndrim i tyre që bazuar në rrethanat gjeo-politike, konkretisht luftën në Ukrainë, është e nevojshme që të arrihet të paktën një hap në normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë që ndihmon drejt shkuarjes tek njohja reciproke.

Osmani për Draftin e Asociacionit: Kam dërguar komentet e mia ndarazi Qeverisë, kam marrë garanci nga SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën e saj për RTV 21 ka folur edhe për çështjen e Draftit të Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian. Osmani ka thënë se ka dërguar edhe komentet e saj për Draftin si presidente e Republikës së Kosovës dhe thotë se në komentet e saj ka përfshirë edhe çështje të cilat Qeveria nuk i ka përfshirë.

“Të gjithë ne si institucione kemi komentet tona. Ato janë dorëzuar edhe nga ana e Qeverisë. Unë kam komente shtesë, përtej asaj që ka dërguar Qeveria, shumë sinqerisht. Mendoj që disa gjëra që nuk i ka dërguar Qeveria janë të rëndësishme dhe këto i kam ndarë me aleatët, veçanërisht me SHBA, të cilët më kanë siguruar se asnjëherë qëllimi i tyre nuk ka qenë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe që të krijohet si një trup vendimet e të cilit s’mund t’i kontrollojë askush në aspektin juridik dhe kushtetues, jo në aspektin politik. Po punojmë që t’i zgjidhim ato çështje që mund të shkaktojnë probleme në aspektin praktik”, ka thënë presidentja.

Osmani: Kosova është dashur ta hartojë Draftin e Asociacionit bashkë me SHBA, të pyetet Kurti pse s’ndodhi

Shefja e shtetit ka përmendur edhe një herë idenë e saj që Drafti për Asociacionit është dashur të shkruhej nga Kosova në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E pyetur se pse s’e ka shkruar ajo si presidente, Osmani ka thënë se nuk i takon presidentes që të shkruaj Drafte.

E pyetur “pse nuk e bindet Kurtin” që ta shkruaj Draftin bashkë me SHBA, Osmani ka thënë se për një gjë të tillë duhet të pyetet kryeministri.

Osmani: Raporti me Kurtin korrekt, qëllimet i kemi të përbashkëta

Osmani teksa ka folur për raportin me Kurtin, ka thënë se kanë një bashkëpunim korrekt dhe ka thënë se mund të garantojë që qëllimet i kanë të përbashkëta, për ta ruajtur Kosovën dhe që të ketë siguri dhe rend e ligj në secilin cep të vendit.

“Ne kemi një raport jashtëzakonisht korrekt. Asnjëherë presion, por debate të shumta duke respektuar institucionin. E di që qëllimet tona janë të përbashkëta. Qëllimi ynë është që Kosova të mbrohet dhe të mbizotëroj siguria në çdo cep të Kosovës. Jemi ne të dy që  kemi marrë besimin, duke bashkëpunuar e nganjëherë duke përbirë dallimet që i kemi. E kemi për borxh që të punojmë bashkë, asnjëherë duke vendosur interesin individual, por vetëm interesin e qytetarëve si busull orientuese të bashkëpunimit”, ka thënë Osmani.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments