Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi e banesa përveç që po sjellin humbje të mëdha, po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te qytetarët, që shpesh përballen me hajdutët, të cilët i zënë në flagrancë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në shtëpinë e familjes Bërbatovci në rrugën “Muhamet Behluli” në Fushë Kosovë, ku pronari ka arritur ta kap hajdutin dhe ta “dorëzojë” te Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjalin, i dyshuari ishte futur në një shtëpi, ku kishte arritur që të “avullojë” të gjitha stolitë e arit, në vlerë të rreth 4 mijë eurove – por që plani për t’u arratisur pasi kreu vjedhjen i dështoi.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se personi që u kap mat nga pronari i shtëpisë është Sedat Hasani, 30-vjeçar, i cili u arrestua nga Policia në vendin e ngjarjes, edhe pse tentoi që të ikte.
I riu është prangosur dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.