Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeTë gjitha vendimet që i mori qeveria në mbledhjen e fundit për...

Të gjitha vendimet që i mori qeveria në mbledhjen e fundit për këtë vit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të fundit për këtë vit.

 Në këtë mbledhje qeveria ka:

–     Miratuar Planin Kombëtar për Zhvillim 2024-2026. Me qëllim të përmbushjes së prioriteteve kryesore të Qeverisë, vitin e kaluar Qeveria ka filluar planifikimin dhe mbikëqyrjen e performancës, përmes platformës së unifikuar të Planit Kombëtar për Zhvillim, i cili përfshinë katër shtylla kryesore: (1) Rritjen e qëndrueshme ekonomike, (2) Zhvillimin e barabartë njerëzor, (3) Sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe (4) Qeverisjen e mirë. Ai mbulon 11 sektorë të ndryshëm, duke përfshirë ekonominë digjitale, infrastrukturën, mjedisin, arsimin, punësimin, shëndetin, kulturën, paqen dhe sigurinë, drejtësinë, qeverisjen efektive dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

–     Miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Ligj që do bëjë reformë në fushën e medias e që do trajtojë dhe rregullojë: kompetencat e KPM-së, pronësinë e mediave, mbrojtjen e fëmijëve dhe qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Për më tepër, do të përcaktojë politikat e transmetimit dhe ritransmetimit, mbikëqyrjen e përmbajtjes audiovizive të paraqitura në mediat online dhe në platformat për shpërndarjen e videove, duke vendosur standarde të larta edhe në çështjet e sponsorizimit, vendosjes së produktit, reklamimit në televizion e komunikimeve komerciale.

–     Miratuar Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës, që ka për synim konsolidimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë, duke vendosur themelet e një sistemi të integruar të arkitekturës së sigurisë, i cili do të jetë në shërbim të sigurisë kombëtare, dhe realizimit të synimeve dhe qëllimeve shtetërore.

–     Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentimit Nr. 3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015. Qëllimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare është zgjatja e afatit për zbatimin e programit vjetor IPA 2015 edhe për 2 vite shtesë.

–    Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa Digjitale” (2021-2027) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja ka rëndësi të veçantë pasi që ofron mundësi të zhvillimit të teknologjive, shërbimeve dhe produkteve për bizneset, qytetarët dhe administratën publike. Në kuadër të këtij Programi janë të ndara 9.2 miliardë euro për shtetet e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

–     Miratuar Projektligjin për Harmonizimin e Ligjeve të Veçanta me Ligjin për Kundërvajtje. Qëllimi i këtij ligji është ndryshimi dhe plotësimi i 31 Ligjeve me qëllim të harmonizimit të tyre me Ligjin Nr. 05/L- 087 për Kundërvajtje.

–     Miratuar Projektligjin për Statusin, Qëndrimin e Përkohshëm dhe Kalimin Transit të Forcave të Huaja të Armatosura në Territorin e Republikës së Kosovës.  Ky ligj ka për qëllim rregullimin e statusit të forcave të huaja të armatosura, personelit civil shoqërues të këtyre forcave dhe vartësve të tyre, gjatë qëndrimit të përkohshëm brenda kornizës së bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe procedurat e kalimit transit të tyre, në territorin e Republikës së Kosovës.

–     Miratuar Projektligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Me këtë ligj garantohet qëndrueshmëria dhe rritja e vlerës së pronës së paluajtshme të komunës për zhvillim ekonomik lokal dhe përmbushjes së interesit të përgjithshëm.

–     Miratuar Projektligjin për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave. Ky projektligj ka për qëllim të forcojë aftësinë e organeve të vetëqeverisjes lokale në përmbushjen e përgjegjësive të tyre përmes këshillimit, mbështetjes dhe ndihmës; të sigurojë ligjshmëri të aktiviteteve të organeve të vetëqeverisjes lokale; si dhe të sigurojë që të drejtat dhe interesat e qytetarëve të respektohen.

–     Miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes së cilit do të rregullohet mbrojtja e konsumatorit, përgjegjësitë e tregtarit si dhe përgjegjësitë e konsumatorit në blerjen e produkteve dhe shërbimeve.

–     Miratuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Ky ligj rregullon veprimtarinë e Inspektoratit Qendror për Mbikëqyrje të Tregut. Ky projektligj ka për qëllim që të rregullojë veprimtarinë e këtij inspektorati, si dhe që të përcaktojë organizimin dhe kompetencat e mbikëqyrjes inspektuese të tregut, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Një ndër objektivat kyçe të Qeverisë është fuqizimi i rolit të organeve inspektuese, me ç’rast është miratuar në Kuvendin e Kosovës, Ligji për Inspektimet. Ndërsa, me miratimin e këtij Projektligji të veçantë, do të krijohet një bazë ligjore funksionale dhe lehtë e zbatueshme për funksionalizimin e Inspektoratit të Tregut, duke e bërë organ qendror, me shtrirje në 7 rajonet e Kosovës.

–     Miratuar Projektligjin për shtetësinë e Kosovës. Ai lehtëson fitimin e shtetësisë të personave të pajisur me lejeqëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme, duke përfshirë shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të cilët kanë vite që jetojnë në Kosovë, e të cilët përballen me diskriminimin e autoriteteve të Serbisë përmes fshirjes së adresave. Rregullimi i statusit të tyre është prioritet për Qeverinë tonë.

–     Aprovuar Rregulloren për Procedurat e Punës në Tryezat Multidisiplinare për Ndihmë në Menaxhimin e Rastit. Kjo rregullore trajton çështjet specifike të cilat lidhen me vlerësim të rastit dhe ofrimit të shërbimeve sociale cilësore për çdo fëmijë në nevojë sociale. Ky akt nënligjor është edhe në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

–     Aprovuar Udhëzimin Administrativ për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë. Ky Udhëzim Administrativ është i rëndësishëm për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe procedurat për licencim të profesionistëve shëndetësorë, me efikasitet më të shtuar e kosto më të ulët.

–      Aprovuar Koncept-dokumentin për trajtimin e fushës së parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Përmes këtij Koncept-dokumenti synohet parandalimi i pastrimit të parave, veprave të ndërlidhura penale dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zvogëlimin e ekonomisë informale dhe krijimin e stabilitetit ekonomik.

–     Themeluar Zyrën për Administrimin e Pronës Publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.  Zyra  për Administrimin e Pronës Publike në kuadër të  Zyrës së Kryeministrit, themelohet në bazë të Ligjit  Nr. 08/L-125 për Pronën Publike dhe Ligjit  Nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura.

–      Themeluar Komisionit ad hoc që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera me këtë përbërje:

1.1.  Znj. Lule Isufi, kryesuese;

1.2.  Z. Rafet Zeqiri, anëtar;

1.3.  Znj. Lule Pashku, anëtare;

1.4.  Z. Genc Hundozi, anëtar;

1.5.  Z. Taulant Tanushaj, anëtar.

–     Emëruar Grupin Koordinues Ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në bazë gjinore. Grupi Koordinues ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në bazë gjinore, do të ketë këtë përbërje:

1.6.  Znj. Albulena Haxhiu – Koordinatore Kombëtare kundër dhunës ndaj grave, kundër dhunës në familje dhe kundër dhunës me bazë gjinore, kryesuese;

1.7.   Znj. Edi Gusia – Agjencia për Barazi Gjinore, zëvendës kryesuese;

1.8.   Z. Blerim Gashani – Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;

1.9.   Z. Avni Zogiani – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;

1.10. Znj. Nazlie Bala – Ministria e Drejtësisë, anëtare;

1.11. Znj. Dafina Gexha Bunjaku – Ministria e Shëndetësisë, anëtare;

1.12. Z. Taulant Kelmendi – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtar;

1.13. Z. Arbër Vokrri, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

1.14. Z. Sylejman Elshani, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

1.15. Z. Arbnesh Ajvazi, Policia e Kosovës, anëtar;

1.16. Prokuroria e Shtetit, anëtar;

1.17. Znj. Mirlinda Bytyqi Rexhepi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, anëtare;

1.18. Znj. Luljete Hetemi, Akademia e Drejtësisë, anëtare;

1.19. Znj. Zana Hamiti, Koalicioni i Strehimoreve të Kosovës, anëtare;

1.20. Z. Burhan Maxhuni, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, anëtar, dhe

1.21. Z. Blerim Shabani, Përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale, anëtar.

–        Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për aprovimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës Emergjente – QKUK”

–     Miratuar për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim shtesë për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan -Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë-Bresalc.

–      Aprovuar analizën Ex-Post të Mekanizmave të Demokracisë Lokale. Kjo analizë synon të bëjë një vlerësim të zbatimit, pajtueshmërisë dhe rezultateve të arritura nga ana e komunave të të gjithë mekanizmave të demokracisë lokale. Ligji ka hyrë në fuqi në vitin 2008, dhe që nga kjo kohë deri më tani nuk ka pas asnjë ndryshim të kësaj kornize ligjore.

–      Aprovuar raportin për Vlerësimin Ex – Post të Ligjit nr.05/1-134 për legalizimin dhe dorëzimin e armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive. Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka vlerësuar nevojën e vlerësimit Ex-post të tij, me qëllim të identifikimit të sfidave kryesore në zbatim, si dhe pajtueshmërisë me legjislacionin tjetër në fuqi. Raporti ndër të tjera rekomandon ndryshimin thelbësor të ligjit me qëllim të rregullimit të substancës dhe strukturës së tij. Analizimi dhe vlerësimi ka për qëllim reformimin dhe avancimin në këtë fushë.

–     Aprovuar Raportin për Vlerësimin Ex – Post të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 10/2017 për Listën e Treguesve për Identifikimin Zyrtar të Viktimave të Trafikimit me Njerëz. Në përmbledhje, Raporti thekson rëndësinë e përfshirjes së treguesve të rinj si rekrutimi dhe shfrytëzimi në internet i viktimave të trafikimit, si dhe ai i emigrantëve të parregullt dhe azilkërkuesve. Raporti rekomandon edhe forcimin e treguesve që kanë të bëjnë me martesa të detyruara të fëmijëve dhe/apo shfrytëzimin për kërkim lëmoshe.

–     Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej gjashtë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë euro (6,550,000.00 €) për mbulimin e obligimeve kontraktuale.

–     Miratuar Strategjinë Shtetërore për Rininë 2024-2032. Ky dokument strategjik mundëson që politika rinore të zbatohet nga të gjitha institucionet publike dhe përkthehet në investim të shumëfishuar publik për të adresuar nevojat e të rinjve. Pra, përveç se është dokument që na orienton drejt zhvillimit, është edhe një mjet reforme për politikëbërje karshi rinisë. Për ta bërë këtë dokument të rëndësisë së veçantë sa më të qasshëm, dokumenti është hartuar në pesë gjuhë – shqip, serbisht, anglisht, turqisht dhe në gjuhën rome.

–     Miratuar Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre 2023-2027 dhe planit të veprimit. Strategjia është dokumenti kryesor për zhvillimin e komuniteteve në Kosovë për periudhën 2023- 2027. Qëllimi i kësaj Strategjie është që të forcojë mbrojtjen dhe të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për gjithëpërfshirjen e komuniteteve në arsimim, punësim, mirëqenie sociale, strehim, çështje pronësore, përdorim të gjuhëve dhe shëndetësi.

​-     Aprovuar Planin e Veprimit 2023-2025, mbështetur në Strategjinë për Transportin Multimodal 2023-2030. Përmes këtij Plani synohet ngritja e kapaciteteve përmes reformave në menaxhim, rritja e sigurisë së transportit, mjedis më i pastër duke shfrytëzuar automjete me emetim zero të gazrave dhe digjitalizimi në fushën e transportit.

–     Aprovuar Projekt Statutin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës synon ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore cilësore, të sigurta dhe të qasshme për të gjithë. Andaj edhe rregullimi i paqartësive dhe mangësive brenda vet strukturës të këtij institucioni është i nevojshëm. Ky Projekt Statut përcakton fushëveprimin, organizimin, organet drejtuese, të drejtat dhe detyrimet, mënyrën e zgjedhjes së organeve drejtuese, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me veprimtarinë dhe funksionimin e ShSKUK-s.

–     Aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministres së Drejtësisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë. Republika e Kosovës ka arritur të avancojë pozicionin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare. Në këtë linjë, tani Republika e Italisë është pajtuar që të thellojë tutje bashkëpunimin në fushën e ekstradimeve, duke u bërë shteti i parë evropian që lejon ekstradimin e shtetasve të vet në Republikën e Kosovës.

–     Aprovuar Koncept Dokumenti për Vendbanim dhe Vendqëndrim. Ky koncept dokument është iniciuar mbi faktet e problemeve të identifikuara në lidhje me adresën e saktë të qytetarit, vështirësitë në ndryshimin e vendbanimit, pengesat në komunikimin e të dhënave për adresë në mes të institucioneve, si dhe në zhvillimet teknologjike.

–     Aprovuar Planin e Reagimit Kombëtar. Plani i Reagimit Kombëtar (PRK).

–     Miratuar Projektligjin për Faturat e Kulturave Bujqësore dhe Fletëmagazinave. Ky ligj rregullon Faturat e Kulturave Bujqësore dhe Fletëmagazinat si instrumente financiare për të siguruar financimin e kapitalit qarkullues për sektorin e bujqësisë dhe përcakton bazën ligjore dhe ekonomike, parimet dhe rregullat e nxjerrjes, regjistrimit publik, vendosjes dhe qarkullimit të tyre në Kosovë.

–     Aprovuar kërkesën për ndarja e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve për ekzekutimin e pagave për muajin dhjetor 2023.

–      Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore, sipas tabelave të bashkangjitura në vendim.

–      Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin Nr. 08/169 të datës 27 tetor 2023 dhe shfuqizuar Vendimin e Qeverisë Nr. 24/178 të datës 13 dhjetor 2023.

–     Aprovuar e kërkesën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për transfer të mjeteve bazuar në nenin 30.3 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike.

–     Miratuar vendimin përmes së cilit buxheti i katër komunave në veri të vendit, pra Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Komunës veriore të Mitrovicës, do të shfrytëzohet për të paguar një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it që është akumuluar nga devijimet deri më tani. Shuma totale prej 11,880,246.33 euro, përfshirë edhe mjetet e alokuara të Fondit Zhvillimor në Mirëbesim, merret nga këto katër komuna dhe i transferohet KOSTT-it për të paguar një pjesë të borxhit për energjinë e shpenzuar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments