Deputeti i Partisë Popullore të Austrisë (OVP), Reinhold Lopatka ka shprehur shpresën se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura në Serbi do të kontribuojnë për një fillim të ri në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për ruajtjen e paqes.
Lopatka tha se Bashkimi Evropian duhet t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor një perspektivë të ndershme të anëtarësimit në BE, por edhe se rajoni duhet të arrijë përparim të dukshëm.
“Kjo është e vërtetë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por veçanërisht për Serbinë, e cila përballet me sfidën e dialogut, i cili duhet të vazhdojë me një qasje të ndershme nga të dyja palët”, nënvizoi ai.
Lopatka thotë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka pësuar disa goditje të rënda, prandaj ai shpreh shpresën se zgjedhjet e sapopërfunduara në Serbi do të kontribuojnë për një fillim të ri dhe paqe.
I pyetur nëse BE-ja është në gjendje ta bindë Kosovën që të ketë qasje të sinqertë ndaj dialogut, ai u përgjigj se BE është e përkushtuar fuqishëm për të, sepse edhe asaj i duhet sukses.
“Nëse ka përparim, para së gjithash është mirë për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, por edhe për BE-në. Nuk duhet të merremi me fajin reciprok, por të bëjmë përpjekje shtesë. Do të ishte turp nëse Ballkanit Perëndimor i mungon mundësia për t’u anëtarësuar në BE për shkak të mosrespektimit të detyrave të shtëpisë”, tha politikani austriak për Kosovo-Online, i cili drejtoi misionin e vëzhguesve afatshkurtër të OEBS gjatë zgjedhjeve në Serbi.
I pyetur nëse marrëveshjet e arritura në dialog duhet të respektohen nga pala kosovare, ai publikisht është përgjigjur se – nëse është rënë dakord për diçka – vlen për të dyja palët.
“Nëse arrihet një marrëveshje, atëherë ajo duhet të zbatohet. Kur të lidhen kontratat, ato duhet të respektohen, dhe kështu thoshin romakët e lashtë. Përndryshe, përparimi nuk është i mundur”, tha Lopatka.
I pyetur nëse pret që procesi i zgjerimit të mbetet prioritet i Komisionit Evropian pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ai tha se projekti i Bashkimit është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor.
“Ka kaluar shumë kohë që nga pranimi i vendit të fundit në BE. Ka kaluar një dekadë nga pranimi i Kroacisë. Shpresoj se nuk do të mbetet që Kroacia të ketë një fqinj anëtar të BE-së vetëm në veri”, theksoi Lopatka.