Gjykata Kushtetues e Republikë së Kosovës ka nxjerrë vendim lidhur me kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve kushtetuese që lidhen me Vettingun, me qëllim që ato para se të shkojnë në Kuvend për miratim, të konstatohet nëse i pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II për “Të Drejtat dhe Liritë Themelore” të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot se njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme, dhe ka konstatuar me gjashtë vota për dhe dy vota kundër, që amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar/i përkohshëm i integritetit të “[…]anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita[…]”, nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit (Autoriteti), nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Gjithashtu Kushtetuesja njëzëri ka konstatuar që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës
Në njoftim thuhet që Gjykata Kushtetuese njëzëri ka konstatuar që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme” me vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Megjithatë, Kushtetuesja njëzëri ka konstatuar që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr. 28 ku propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektim të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “ka integritet të cenueshëm”, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese tutje në vendimin e saj ka dhënë sqarim pse formulimi “integritet i cënueshëm” pakëson të drjetat dhe liritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Kushtetuese ka mungesë të përkufizimit të qartë dhe të parashikueshëm.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka vlerësuar edhe bazën e propozuar për shkarkimin e gjyqtarit dhe/ose prokurorit, që ndërlidhet me formulimin e “integritetit të cenueshëm”. Aktgjykimi sqaron që çështjet që ndërlidhen me integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë të mbuluara në mënyrë gjithëpërfshirëse nga bazat ekzistuese kushtetuese dhe ligjore e që mund të rezultojnë në shkarkimin e tyre. Megjithatë, në aplikimin e standardeve që burojnë nga parimet kushtetuese dhe instrumentet ndërkombëtare, formulimi “ka integritet të cenueshëm”, si bazë e përhershme e shkarkimit të gjyqtarit dhe/ose prokurorit, karakterizohet me mungesë të përkufizimit të “qartë” dhe të “parashikueshëm”. Për më tepër, në balancimin e (i) parimit të sigurisë së mandatit të gjyqtarit dhe/ose prokurorit dhe rëndësinë e këtij parimi për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, përfshirë gjykatën e pavarur dhe të themeluar me ligj sipas përcaktimeve të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) “paqartësisë” dhe “paparashikueshmërisë” së formulimit të propozuar, përfshirë në kontekst të mungesës së garancive të nevojshme procedurale që ndërlidhen me vlerësimin e “integritetit të cenueshëm”, si bazë e përhershme për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që propozohet në nivel të normës kushtetuese, Gjykata konstatoi që një formulim i tillë, rezulton në pakësim të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës./