Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKurti e Osmani me mospajtime në publik, çfarë tha Avokati i Popullit...

Kurti e Osmani me mospajtime në publik, çfarë tha Avokati i Popullit që i shtyu të nervozoheshin me njëri-tjetrin

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duket se nuk pajtohen me njëri-tjetrin lidhur me një çështje në ligjin për zgjedhjet parlamentare. Kryeministri dhe presidentja duket se u përplasën për këtë ligj, të cilin Avokati i Popullit paralajmëroi se mund ta çojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Naim Qelaj pati plot vërejtje për institucionet në fjalën e tij para krerëve të shtetit, në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Presidentja Vjosa Osmani e ftoi kryeministrin Albin Kurti në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ku në në një moment patën një diskutim të tensionuar.

Ata diskutuan me mospajtim mbi 2 minuta, pasi Avokati i Popullit, Naim Qelaj adresoi plot kritika për institucionet.

Çka tha Avokati i Popullit

Fillimisht, Avokati i Popullit përmendi pavarësinë dhe paanësinë, si atributet që duhet t’i ketë ky institucion ndërsa tha se zëri i tij është zëri i qytetarëve, të cilin ata e shprehin duke dërguar ankesa e kërkesa.

Sivjet, ai tha se institucionet s’e kanë dëgjuar fort Avokatin e Popullit, duke shpërfillur rekomandimet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Këtë vit, të dhënat nuk janë edhe shumë inkurajuese. Megjithatë jemi akoma herët për me ardhë në një përfundim. Deri më tani, 20% të rekomandimeve të Avokatit të Popullit janë zbatu për rekomandimet që u janë adresuar autoriteteve në vitin 2023. 80% e rekomandimeve janë në pritje të zbatimit. Pra, kemi një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritetet dhe institucionet e vendit”, tha Qelaj.

Ai shtoi se institucionet duhet ta kenë prioritet zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

“Komisionet parlamentare në asnjë rast gjatë vitit 2023, nuk iu ka referu rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, tha ndër tjerash Qelaj.

“Qe dy vite, është krijuar një praktikë që raporti i Avokatit të Popullit me u adresu në Kuvend me një vit vonesë”, tha tutje ai. “Deri sot, kur jemi në fund të vitit, raporti i vitit 2022, nuk iu ka nënshtru vlerësimit, raportimit në Kuvend”.

Ai përmendi edhe një tendencë të pushtetit për, siç tha, “me ia shtu komentencat dhe përgjegjësitë Avokatit të Popullit, por kjo mos me u përcjell me shtim të resurseve dhe mbështetjes financiare”.

“Kjo tendencë e dëmton punën e Avokatit të Popullit”, tha ai. “Një gjë e tillë, një tendencë e tillë është pa me shumë ligje të miratuara, ku shtohen përgjegjësitë dhe angazhimet e Avokatit të Popullit”, shtoi Qelaj.

Kërkesat e tij për rritjen e kapaciteteve të këtij institucioni, Qelaj tha se janë shpërfillur gjithashtu. Ato, ai tha se “kanë mbetur të paaprovuara, të pashqyrtuara dhe pa asnjë arsyetim pse nuk po aprovohen” qe tri vjet.

Ai tha se do ta shfrytëzonte këtë rast për t’ua shprehur kryeministrit dhe presidentes këtë shqetësim.

“Mungesa e përgjigjes nuk është në pajtim me ligjin, e kjo tregon se nuk është në pajtim as me vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Qelaj e përmendi ligjin e pagave, që sipas tij “e ka dëmtuar institucionin e Avokatit të Popullit”. Ky ligj po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese.

Tutje ai theksoi se Ministria e Financave nuk i kishte dëgjuar, pavarësisht se Avokati i Popullit i kishte adresuar problematikat e atij ligji.

“Kam shprehur vullnetin tim se unë nuk jam për me e dërgu ligjin në Gjykatën Kushtetuese sepse ligjet duhet të miratohen e jo të zvarriten. Megjithatë, përfundimisht, ligji, me kërkesë të Avokatit të Popullit po i nënshtrohet vlerësimit të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën, për arsyet që unë i kam cekë shumë kohë përpara dhe kemi adresu edhe komente me shkrim, e që nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë përfillë”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti ka treguar jo pak neveri që ligjet që Qeveria po i miraton, po dërgohen në Kushtetuese për vlerësim, por Qelaj e sheh si vlerë të shtuar këtë.

“Vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të ekzekutivit e legjislativit është pa dyshim vlerë e shtuar e demokracisë dhe unë konsideroj që nuk i bën dëm demokracisë dhe të drejtave të njeriut, por përkundrazi, është vlerë që mbron raportet mes institucioneve”, tha Qelaj, duke shprehur shqetësimin e tij edhe lidhur me këtë ligj.

Avokati i Popullit tha se po e shqyrton mundësinë e dërgimit në Kushtetuese edhe të ligjit për zgjedhje.

“Përfaqësimin e grave në lista zgjedhore nuk e shoh si kuotë, e shoh si të drejtë, si vlerë e brymosur në parimet e Kushtetutës sonë, prandaj unë them se është vlerë e shtuar Gjykata Kushtetuese sepse unë jam duke e shqyrtuar mundësinë që këtë ligj me adresu në Gjykatë Kushtetuese, pikërisht mbi këtë bazë”, tha ai.

Avokati i Popullit tha se sivjet kanë pranuar 1571 ankesa. “29% e ankesave janë nga gratë, pjesa tjetër nga burrat. Kjo prapë tregon një pabarazi në aspektin ligjor”, tha ai.

Çka tha Qeveria

Fjalët e Qelajt nuk i pëlqyen kryeministrit Albin Kurti, i cili deklaroi se 10 ligje të Kuvendit që përmbajnë reforma të rëndësishme për shtetin, për drejtësi dhe punësim, kanë mbetur duke u vlerësuar në Gjykatën Kushtetuese, janë rrëzuar ose “deformuar”, siç tha ai, nga kjo gjykatë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu shkroi në Facebook se Kurti dhe Osmani po diskutonin rreth paralajmërimit të Avokatit të Popullit se ligjin për zgjedhje mund ta dërgojnë për shqyrtim në Kushtetuese.

“Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, shkroi Kryeziu, pa dhënë hollësi për diskutimin mes Kurtit dhe Osmanit.

Çka tha Presidentja

Presidentja Vjosa Osmani i propozoi Avokatit të Popullit që të merret vesh me partitë politike për ta bërë një amandament “që e trajton këtë mospërputhshmëri me ligjin për bararazinë gjinore”, në ligjin për zgjedhjet dhe që ta procedojnë tutje duke e shmangur një pritje për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, ajo tha se “do të zgjidhej ky problem shumë më mirë”.

“Faleminderit zoti avokat. Ndoshta një përpjekje të fundit para se ju ta dërgoni ligjin në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se partitë politike pajtohen ne mund ta bëjmë një amandament në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ta procedojmë sa më parë që të jetë e mundur në mënyrë që të trajtohet çështja që e adresova edhe, unë edhe ju. Nuk e di sa ka mbetur kohë. Ndoshta edhe një muaj ose dy, përafërsisht, kështu që, në qoftë se edhe mazhoranca, edhe partitë opozitare do të pajtoheshin, do të zgjidhej ky problem shumë më mirë, në mënyrë që pastaj mos të presim dhe ndoshta edhe një vit deri sa të trajtohet kërkesa juaj në Gjykatën Kushtetuese dhe të bllokohet një prej ligjeve që janë fundamentale në procesin tonë të reformave, dhe për mësysh ka qenë ndoshta prej ligjeve të pakëta që është votuar edhe nga shumica, edhe opozita. Pra, është një prej rasteve të rralla ku i gjithë Parlamenti pajtohet rreth një ligji dhe ky ka qenë një prej të tillëve”, tha Osmani.

Pasi doli jashtë Osmani u pyet për diskutimin me Kurtin. Ajo tha se po flisnin për ligjin për zgjedhjet.

“Për ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe çështjen e përqindjes së grave në lista. Kështu që është përpjekje e vazhdueshme”, tha presidentja.

Gazeta Express ka provuar ta marrë një prononcim nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj lidhur me këtë, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments