Këshilli i Mandateve ka miratuar me 6 vota pro dhe asnjë kundër për autorizimin e kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në fund të mbledhjes, Kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se Këshilli do t’i paraqesë seancës plenare relacionin e mbledhjes për dhënien e autorizimit ndaj SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha në seancën e datës 21 dhjetor. Relatore u caktua të jetë Klotilda Bushka.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin zhvilloi sot për gati 4 orë mbledhje në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.
Mbledhja u drejtua nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa nga opozita mori pjesë vetëm deputeti Enkelejd Alibeaj.