Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është në mbështetje siç i quan ai, mashtrimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Haradinaj akuzon LDK-në se në shumë situata nuk ka qenë e unifikuar me opozitën dhe ka mbështetur pushtetin.
Haradinaj për KosovaPress flet edhe për draft-statutin e Asociacionit, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë, për të cilin thotë se ka elementë shqetësues, mirëpo thekson se Gjykata Kushtetuese mund ta pastrojë atë dhe t’i largojë nenet jokushtetuese.
“(Presidentja Osmani) Është staf i Kurtit dhe të gjithë të tjerët nga Lista Vetëvendosje, Osmani, Konjufca janë staf i Kurtit dhe e përcjellin mashtrimin e Kurtit, janë pjesë e këtij mashtrimi. Për fat të keq edhe një pjesë e opozitës tonë, shihet se LDK-ja është në mbështetje të këtyre mashtrimeve në shumë situata deri më sot, që nga votimi i presidentes pastaj mospërkrahja e mocionit dhe shumë raste edhe kjo prezenca për me i bë një lloj dekori fjalimit vjetor të presidentes, e cila s’pati asnjëherë gjatë gjithë vitit një qëndrim të prerë për të cilëndo çështje të rëndësishme të jetës sonë”, thotë Haradinaj.
Lideri i AAK-së kërkon nga kryeministri Kurti të tregojë sesi e ka paraparë implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, meqenëse sipas tij, e ka pranuar të njëjtin në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, madje ka kërkuar edhe nënshkrim e palës tjetër.
Haradinaj e sheh të pamundshme që të ndryshojë versioni i draft-statutit të Asociacionit, pavarësisht vërejtjeve të kryeministrit Kurti te ndërmjetësit.