Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se deklarimi i hapur nga Serbia për mosrespektim të Marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit, e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, paraqet kërcënim të hapur.
ëtë deklaratë Kurti e bëri në takim Përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg.
Kryeministri, sipas komunikatës së Qeverisë theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.
“U bisedua edhe për situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë. Ndërkaq, për sa i takon dialogut, vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Një dokument i hartuar nga Serbia, përmes së cilit ajo është shprehur se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, dhe aneksin e zbatimit të saj, ka nxitur reagimin edhe të BE-së.
BE-ja është shprehur se Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër.